Liga e Kombeve/ Kombëtarja shqiptare për fitore ndaj Lituanisë

TIRANË, 14 tetor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare do të luajë pasditen e sotme në orën 18:00 në Vilnus ndeshjen ndaj Lituanisë e vlefshme për Nations League.

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur dje në Vilnius dhe pasi është akomoduar në hotel, skuadra i është drejtuar “LFF stadium” të Vilnius për të zhvilluar edhe seancën zyrtare stërvitore një ditë para ndeshjes.

E gjithë seanca është shoqëruar nga reshjet e shiut, ndërkohë që duhet theksuar se fusha e këtij stadiumi, ku do të zhvillohet dhe sfida ndaj lituanezëve, është me bar artificial.

Si zakonisht trajneri Reja ka punuar me anën taktike për të testuar lojtarët në skemat e tij. Me ekipin ka qenë edhe Abrashi, por prania e tij në ndeshje mbetet ende në dyshim të fortë për shkak të dëmtimi në kavilje.

Pas stërvitjes trajneri i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, së bashku me kapitenin Etrit Berisha dolën në konferencën zyrtare për shtyp në Vilnius para ndeshjes me Lituaninë.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, trajneri italian vlerësoi ekipin kundërshtar, por theksoi se kuqezinjtë vijnë për të marrë pikë. Gjithashtu, trajneri i përfaqësueses komentoi edhe zgjedhjet e tij dhe lojtarët e rinj që ka grumbulluar në këtë takim.

Në ndeshjen e sotme pritet që Shqipëria të zbresë me tre ndryshime në formacion ku në portë është kapiteni Etrit Berisha. Mbrojtja do të jetë e pandryshuar nga ndeshja me Kazakistanin, pasi para portierit do vendosen Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla. Në krahun e majtë është zgjedhur sërish Veseli, ndërsa në mesfushë Bare dhe Abrashi këtë herë do të mbështeten nga Laçi dhe jo nga Kallaku. Ndryshimi tjetër do të jetë në krahun e djathtë të mesfushës ku vendin e Trashit e ka marrë Lenjani. Sakaq Reja në sulm ka zgjdhur të ulë në stol Rei Manajn, vendin e të cilit e ka marrë Seferi, i cili do të mbështesë Armando Brojën.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.