Lehtësimi i procedurave për titujt e pronësisë mbi tokën dhe legalizimin/ Takim informues në Kuçovë

TIRANË, 14 tetor/ATSH-A. Fortuzi/ Ermonela Felaj, deputete e Partisë Socialiste, njëherazi kryetare e Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, ka zhvilluar një takim me kryepleqtë e fshatrave në njësinë administrative Lumas, në Kuçovë, ku në fokus ishte lehtësimi i procedurave për procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë mbi tokën dhe atë të legalizimeve.

Felaj gjatë takimit sqaroi se, në gjithë këto vite, jemi përpjekur të lehtësojmë procesin e regjistrimit të titujve të pronësisë mbi tokën dhe atë të legalizimeve.

“Ndryshimet e reja të ndodhura prej bashkimit në një të zyrave të Hipotekës me zyrat e Legalizimit, sot zyra të Kadastrës, vënia në dispozicion të këtyre të fundit, të dokumentacionit të dhënies ose marrjes në përdorim të tokave i ndodhur në arkiva të ndryshme, të bashkive, prefekturave dhe qarqeve, rregullimet e fundit ligjore për çdo akt të dhënies së tokës në përdorim që ka parregullsi të tilla si, si mungesë vule, nënshkrimi etj, i japin mundësinë fermerëve që të mos sorollaten sa andej këtej për të mbledhur konfirmime, mjaft të paraqiten në zyrën e kadastrës së bashkisë, të bëjnë kërkesën përkatëse për sistemimin e çdo gabimi dhe pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi nga kadastra. Janë momente që duhet t’i ndajmë pa përtuar me njerëzit, që gjithsekush të jetë i informuar për mënyrën si mund tê realizojë të drejtën e tij”, – u shpreh Felaj.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.