Finalizohet operacioni “BYE PASS”/ Procedohen 7 zyrtarë të ARRSH Durrës dhe 2 ndërtues

TIRANË, 14 tetor/ATSH-A. Fortuzi/ Finalizohet operacioni policor i koduar “BYE PASS”, ku u arrestuan 3 shtetas, si dhe u shpallën në kërkim 6 shtetas të tjerë.

Policia e Durrësit njofton se, seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, pas një pune intensive hetimore, finalizoi me sukses operacionin policor “BYE PASS”.

Në kuadër të këtij operacioni u bë ekzekutimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, e cila, bazuar në provat e grumbulluara, ka caktuar masat e sigurisë ndaj 3 personave nën hetim, si dhe u shpallën në kërkim 6 të tjerë, konkretisht:

U ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg” ndaj shtetasve: L. T., 50 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; K. B., 56 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” për shtetasin A. H., 63-vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar këtë masë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

Në vijim të operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasve: A. B., 48-vjeçe, Dh. L., 55 vjeçe, A. Z., 56 vjeç dhe S. T., 47 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë inxhinier pranë ARRSH Durrës, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës iu ka caktuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”. Xh. V., 62 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë ndërtues, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim. R. A., 36 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë ndërtues, për veprën penale “Dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm” kryer në bashkëpunim.

Vijon puna për dokumentimin ligjor të plotë të kësaj veprimtarie, si dhe për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.