Shqipëria, vendi i parë në rajon për përthithjen e fondeve të BE-së

TIRANË, 13 tetor/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “mbështetja jonë për bujqësinë nuk është asistencë sociale por është mbështetje për gjithë këto rezultate që kemi arritur dhe është një kantier që nuk është përfunduar ndaj duhet edhe mandati tjetër”.

“Ne kemi komplet planin tonë si do ecim me bujqësinë. Ne nuk subvencionojmë mbijetesën që të lë aty ku je. Ne stimulojmë zinxhirin e vlerës, kulturat konkurruese, stimulojmë bashkimet e fermerëve”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “ne kemi tjetër strategji dhe nuk japim lëmosha që i mbajnë njerëzit të mpirë në kushtet kur kemi zgjedhur që në 1990 një sistem konkurence ku kush vrapon më shpejt arrin më parë dhe të tjerët duhen ndihmuar të arrijnë më shpejt, por nuk duhen lënë ulokë”.

Kryeministri theksoi se “Shqipëria është sot në vendin e parë në rajon për përthithjen e  fondeve të BE-së për bujqësinë”. “Ishim ‘bishti i kavallit’ dhe jemi vendi i parë në rajon për nivelin e përthithjes së fondeve të BE-së falë kësaj qeverie”, tha Rama.

I pyetur mbi deklaratat e Bashës për lehtësimin nga barra fiskale të fermerëve, Rama tha se “kur dal këtu dhe them që kjo do të bëhet, është bërë shumë punë e analiza përpara dhe është dalë në një konkluzion të përgjegjshëm”. “Kur del dhe thotë Basha do të bëj kështu, është ajo që del nga goja pas gjumit”, shtoi ai.

Rama tha se heqjen jo vetëm të akcizës, por edhe të taksës së qarkullimit dhe karbonit në çmimin e naftës e kemi analizuar dhe projektuar si do bëhet dhe si do të funksionojë që të mos kthehet në një tjetër histori si ajo që ndodhi kur ishte në fuqi një masë e tillë dhe furnizoheshin me naftë “Benz”-a që nuk kanë lidhje me bujqësinë”. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.