“Shqipëria e papërgatitur për valën e parë të pandemisë”/ Basha: Pasojat i paguan qytetarët dhe ekonomia

TIRANË, 13 tetor /ATSH/ Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, “Shqipëria ishte e papërgatitur për valën e parë të pandemisë dhe pasojat i paguan qytetarët dhe ekonomia”.

Në një konferencë për mediet Basha tha se, sistemi shëndetësor është në kolaps.

“Kapacitetet e spitaleve Covid 1 dhe Covid 2 kanë shteruar, vendet në spitale janë plotësuar 100%”, u shpreh ai.

“Numri i të infektuarve është rritur me 30% në 10 ditë. Paralajmërimet tona ranë në vesh të shurdhër”, shtoi Basha.

Basha nënvizoi se, kriza dhe braktisja nga shteti i ka bërë të varfrit të mjerë.

“I vetmi që nuk ka marrë asnjë masë për krizën që i ka trokitur në derë është Edi Rama. E gjithë përgjigjja e Ramës për pandeminë është “Vini maskë!””, tha Basha

“Na ka rënë goja duke kërkuar që të rriten testimet. Infektimet janë rritur, testimet kanë rënë. Sot për sot ajo që ka rëndësi për jetën e njerëzve është që Rama të marrë masa për jetën e tyre”, u shpreh Basha.

Basha shtoi se, “plani ynë me 5 pika parashikon 1000 euro shtesë mujore për mjekët, 500 për infermierët. Përfshirja e mjekut të familjes kërkon që Edi Rama të zgjidhë qesen për pandeminë, jo për PPP-të”.

“Duhet urgjent sigurimi i vaksinës antigrip për të gjithë popullsinë falas. Buxheti i shtetit ka mundësi. Numri i pacientëve në risk të lartë është 500 mijë, ndërsa këta thonë se kanë marrë vetëm 200 mijë vaksina për gripin”, tha Basha.

“I jap zë revoltës së ligjshme të çdo mjeku dhe çdo qytetari që nuk di se si po trajtohet familjari i tij. Çdo viktimë e kësaj pandemie nuk është më viktimë e sëmundjes, por e korrupsionit dhe dështimit qeveritar”, theksoi ai.

Sa i përket ngjarjeve të sotme në Ballsh, Basha tha se, “tregojnë braktisjen e plotë nga qeveria dhe heshtje totale për t’iu përgjigjur kërkesave të drejta për bukën e fëmijëve”.

“Numri i familjeve që kanë arritur gjendjen e falimentimit financiar po rritet në mënyrë dramatike çdo ditë. Ajo që po ndodh sot në Ballsh  po ndodh në të gjithë Shqipërinë. Kolapsin e sistemit shëndetësor do ta ndjekë falimentimi i ekonomisë. Zgjidhja është plani ynë me 5 pika, i cili ka qëllim: të parandalojë kolapsin e sistemit shëndetësor dhe falimentimin e ekonomisë”, tha ai.

/gj.mima//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.