Nga 97 mijë ton eksporte në 2012, në 300 mijë në 2019/ 7 vjet u përgjysmua defiçiti

TIRANË, 13 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se shifra e deficitit tregtar në ushqim rrëzon përtokë të gjithë propagandën banale për gjoja braktisjen e fermerëve dhe ditët e zeza të bujqësisë.

Gjatë konferencës së përjavshme për shtyp ku në fokus është ekonomia, Rama tha se ky tregues flet shumë për faktin se sot Shqipëria e shqiptarët ushqehen shumë më tepër me prodhime vendase sesa me prodhime të importuara.

“Në vitin 2012 një kg ushqim prodhohej në vend dhe 7 kg merreshin nga jashtë. Në vitin 2019 një kg prodhohet këtu dhe vetëm tre merren nga jashtë“, informoi Kryeministri.

Sipas Ramës, sot kontrolli i sigurisë ushqimore nuk ka të krahasuar me 7 vite më parë.

“Në 300 mijë ton eksporte të prodhimeve bujqësore shqiptare nuk kemi një kamion të reklamuar nga Bashkimi Europian për çështje sigurie. Nuk ka nëpër arat e Shqipërisë një parcelë me domate për Bashkimin Europian dhe një parcelë për Shqipërinë në sensin e përmbajtjes. Është i njëjti prodhim që shkon si në tregun tonë dhe në tregjet e huaja”, bëri të ditur Kryeministri.

Rama tha se në 7 vite ta çosh në kushtet jo të lehta që kemi patur këtë deficit në gjysmë përgjysmë është një e dhënë e jashtëzakonshme për atë që do të arrihet.

”Dallimi nga 97 mijë tonë eksporte në 2012-n, në 300 mijë ton eksporte në 2019-n është dallim i madh që flet se sot në fshat punohet më shumë se 7 vite më parë, prodhohet më tepër dhe se skema me zhurmë e me hedhje prodhimesh në fushë janë shumë më të pakta sa ishin”, tha Rama.

Duke folur për investimet në këtë sektor, Rama theksoi se nuk është rastësi që shirat përmbysnin dje dhe sot nuk përmbysin.

“Kjo tregon se është punuar në sistemin e ujitjes e kullimit dhe nuk është shifra e deklaruar, por cilësia e investimit treguesi. Investimet e tyre nuk i kemi gjetur, kemi gjetur ferra. Punët e bëra e deklaruara në letër nuk rezultojnë se janë bërë siç janë deklaruar. Si gjithë punët që bënin ata që janë bërë halleqarësit e popullit e qajnë 6 halle në 4”, deklaroi Kryeministri. /a.gjonaj//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.