BRUKSEL -BE zgjat lehtësimin e ndihmave shtetërore

BRUKSEL, 13 tetor /ATSH-AFP/ – Brukseli njoftoi sot zgjerimin dhe zgjatjen deri në verë të vitit 2021 të lehtësimit të ndihmave shtetërore, miratuar në pranverë për të mbështetur kompanitë europiane për t’i bërë ballë krizës së koronavirusit. 

Ky lehtësim i përkohshëm duhet të përfundonte fillimisht më 31 dhjetor 2020, me përjashtim të masave të rikapitalizimit të autorizuara deri më 30 qershor 2021.

“Objektivi është për t’u mundësuar shteteve anëtare t’u vijnë në ndihmë kompanive (…) duke garantuar kushte të barabarta të konkurrencës”, theksoi Komisioni Europian në një komunikatë.

Në mes të marsit, për të përballuar tronditjen ekonomike të shkaktuar nga masat e kufizuese, Brukseli njoftoi serinë e parë të masave duke lehtësuar mbështetjen publike për kërkimin dhe prodhimin e produkteve për të luftuar kundër pandemisë.

Ato më pas u zgjatën për të lejuar veçanërisht ndihma shtetërore në formën e një kredie ose rikapitalizimi për grupet në vështirësi.

Këto ndihma normalisht jepen vetëm në sasi të vogla, në mënyrë që të garantojnë konkurrencë të ndershme midis kompanive dhe për të mos parë subvencione të panevojshme në kurriz të kompanive të tjera.

Masat e ndryshme lehtësuese referohen nga Komisioni nën termin “kornizë e përkohshme”.

Ato janë zgjatur deri më 30 qershor 2021, përveç pjesës për sa i përket rikapitalizimit të zgjatur deri më 30 shtator 2021./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.