Ambasadorja Kim: Qeveria të demonstrojë se po punon për qytetarët. Duartrokitje për Gjonaj

TIRANË, 13 tetor /ATSH-Gjergji Mima/ Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim, deklaroi sot se Shqipëria hap pas hapi është duke bërë përparim në Reformën në Drejtësi.

Duke folur falë një komunikimi online gjatë aktivitetit të prezantimit të rezultateve të raportit të Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit (GRECO) për Shqipërinë, Kim tha se, “kur shikoj Reformën në Drejtësi në Shqipëri është një çështje që ka të bëjë me të vendosurit e një këmbe pas tjetrës. Në një kohë, e cila është historike, në një mal që është po aq i thepisur sa ç’mund të jetë. Sikurse Luigi dhe të tjerë e kanë thënë, korrupsioni është një problem i madh, është një mal problemesh në Shqipëri, po hap pas hapi ne jemi duke bërë përparim”.

Kim vlerësoi lidershipin e ministres Gjonaj në luftën në korrupsionit, duke u shprehur se, “kjo është larg një deklarate fitoreje, por është një çast për t’u shënuar dhe për t’u festuar dhe për të pohuar lidershipin e jashtëzakonshëm të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe stafit të saj që ka mundësuar këtë. Ju ndoshta keni një nga punët më të vështira në të gjithë Shqipërinë, por ju keni qenë këmbëngulëse duke vendosur hap pas hapi, këmbë pas këmbe drejt ngjitjes tuaj në majë. Dëshiroj që t’i japim një duartrokitje ministres Gjonaj dhe gjithë personelit të saj për punën e tyre”.

“Është një shenjë pozitive që Shqipëria vazhdon të diskutojë një temë, e cila është thelbësore për të ardhmen e Shqipërisë. Qeveria e SHBA dhe populli i SHBA janë të përkushtuar për një të ardhme demokratike të sigurt e të begatë të Shqipërisë. Ne e bëjmë këtë jo thjesht se jemi njerëz të këndshëm, por për shkak se është në interesin tonë si SHBA që të kemi një aleat, cili është i aftë dhe është në gjendje të mund të bëjë pjesën e saj. Ne jemi të përkushtuar ndaj një Shqipërie që do të zërë vendin e saj në mes të komunitetit të demokracive në Europë”, tha Kim.

Ndër të tjera ambasadorja theksoi se “një pjesë e madhe e nxitjes së këtij optimizmi është demonstrimi se qeveria e Shqipërisë po punon në emër të qytetarëve dhe jo në emër të interesave të ngushta, apo për të mbushur xhepat e politikanëve apo partive të tyre politike. Qytetarët e Shqipërisë, si të gjithë qytetarët e të gjithë botës, meritojnë qeverisje të mirë. Ata meritojnë të kenë besim se fondet publike – paratë që vijnë nga djersa e punës së tyre – po përdoren për të përmirësuar jeten e tyre te perditshme”.

“Qytetarët e Shqipërisë, si të gjithë qytetarët në mbarë botën, meritojnë një qeverisje të mirë. Ata meritojnë të kenë besim se fondet publike, paratë që vijnë nga djersa e punës së tyre po përdoren për të përmirësuar jetën e tyre të përditshme. Ekzistojnë pengesa serioze për të arritur qeverisjen e mirë që populli shqiptar meriton. Këto pengesa përfshijnë gjyqtarë të korruptuar. Një sektor drejtësie të kapur nga interesat politike. Gazetarë që ose janë bërë palë, ose janë kërcënuar për raportimet që bëjnë. Poste zyrtare të përdorura për të promovuar ose për të mbrojtur interesa vetjake, ose partiake. Ndërmarrje shtetërore që janë në varësi të klientelizmit, ose të miqësive”, tha ajo.

“Pandemia aktuale globale i ka bërë rreziqet edhe më të qarta. Çdo sektor i kujdesit shëndetësor është i mbushur me mundësi për korrupsion për shkak të përmasës së buxhetit të tij, por në kohëra si këto korrupsioni qoftë në sektorin e kujdesit shëndetësor do të thotë jo vetëm shpërdorim i panevojshëm, po mund të nënkuptojë jetë apo vdekje. Pavarësisht nëse flasim për prokurime mashtruese, ose roje në kufi që marrin ryshfet për të lejuar njerëzit që të kalojnë kufirin, të cilët më pas përhapin infeksionet, rreziku është real”, u shpreh Kim.

“Qeveritë kudo vuajnë nga njëfarë niveli korrupsioni. Edhe SHBA-të nuk janë të përjashtuara nga kjo, megjithatë të gjithë mund të bëjmë gjithçka për këtë. Qeveritë mund të kufizojnë mundësitë për korrupsion dhe mund të dënojnë ata që përdorin postin e tyre publik për të pasuruar veten ose partinë e tyre, apo që rrezikojnë bashkëqytetarët e tyre. Sigurisht policia, prokurorët dhe gjyqtarët e pavarur që janë të autorizuar për të ndjekur korrupsionin kudo që ta gjejnë, pavarësisht nga interesat politikë janë thelbësorë për qeverisjen e mirë”, tha Kim.

“Shqipëria duhet të fillojë vlerësimet e rregullta dhe periodike të performancës profesionale dhe etike të gjyqtarëve dhe të prokurorëve për të siguruar një sistem të drejtë dhe efektiv të drejtësisë. Do të ketë gjithmonë aktorë të këqinj, por qeveritë duhet të krijojnë mënyra për t’i gjetur dhe për t’i dënuar, për t’u siguruar që të gjithë të jenë të barabartë dhe të trajtohen në mënyrë të drejtë. Kur të mund ta bëni këtë do të keni fituar besimin e njerëzve duke treguar që qeveria është llogaridhënëse përpara tyre. Që qeveria nëse është në krahun e dikujt është në krahun e njerëzve”, theksoi Kim.

“Shqipëria ka filluar në këtë rrugë hap pas hapi dhe Reforma në Drejtësi ka nisur të tregojë rezultate. Në mars ju morët dritën jeshile nga BE. SPAK-u ka drejtorin e tij të parë të BKH-së. Dhe së fundmi GRECO tregoi përparim në luftën e Shqipërisë kundër korrupsionit. Sërish kjo nuk është një shprehje deklarate e fitores, por është një mundësi për të vlerësuar përparimin e bërë”, u shpreh Kim.

“Nëse Shqipëria vazhdon në këtë rrugë ajo mund të bëhet një model i reformave të qeverisjes së mirë në vazhdim. Reforma të cilat i kemi dhe që vazhdojnë t’i mbështesim si SHBA. Ambasada e SHBA përmes programeve tona të sektorit të drejtësisë e ka bërë plotësimin e SPAK-ut prioritetin tonë më të lartë. Me investime të konsiderueshme në këshillim përmes ekspertëve dhe mbështetje me pajisje. Ne mbetemi thellësisht të përfshirë në përmirësimin e kapacitetit të Shërbimit të Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA), institucionit përgjegjës për llogaridhënien e policisë, duke ofruar trajnime kritike, futjen e kapacitetit të poligrafit dhe automatizimin e menaxhimit të çështjeve”, tha Kim.

“Greco nënvizoi marrëveshjen mes KLGJ dhe USAID për të zvogëluar numrin e çështjeve të prapambetuara në Gjykatën e Lartë dhe dhënien përfundimisht të drejtësisë për qytetarët. Ne i përshëndesim përpjekjet e KLGJ-së dhe Gjykatës së Lartë për të rivendosur funksionalitetin e Gjykatës së Lartë. Ndihma e SHBA është një investim i dollarëve të taksapaguesve tanë në përpjekjet e Shqipërisë, në përpjekjet e një miku në suksesin e një miku. Ne presim me kënaqësi të shikojmë më shumë rezultate. Rezultatet janë të nevojshme për ju, rezultatet janë të nevojshme për të ardhmen tuaj. Secila prej këtyre përparimeve që keni bërë secili prej këtyre hapave e sjellin Shqipërinë më pranë një të ardhmeje më të mirë dhe ne jemi krenarë që jemi krah jush”, përfundoi ambasadorja Kim. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.