Vetëdeklarimi i burimeve të pasurisë/ OFL u dërgon kërkesën 3 të dënuarve në Tiranë

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Operacioni “Forca e Ligjit” u ka dërguar kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 shtetasve në Tiranë, të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Sipas njoftimit të Policisë, në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, G. A., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë; A. K. (Ç.), banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “trafikimi i narkotikëve”; E. Sh., banues në Tiranë, i dënuar për veprën penale “shfrytëzimi i prostitucionit”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i ligjit special. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.