Shkolla e Integrimit Europian/ Kuvendi çel thirrjet për aplikim

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë, Këshilli Kombëtar i Integrimit Europian, në partneritet me Delegacionin e Bashkimit Europian, Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA), dhe Fondacionin Friedrich Ebert Stiftung, do të organizojnë on line, në datat 2-13 nëntor, edicionin e pestë të Shkollës së Integrimit Europian.

Shkolla e Integrimit Europian është tashmë një traditë e konsoliduar në mbështetje të identifikimit dhe përfshirjes së aktorëve të spikatur nga të gjitha institucionet, organizatat e shoqërisë civile dhe grupet e interesit, të cilët mund të kontribuojnë me ekspertizën e tyre në procesin e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian (BE).

Shkolla e Integrimit Europian (on line) do të ofrojë përgjatë dy javëve, një kuadër të plotë teorik dhe praktik mbi zhvillimet dhe sfidat më të fundit në Bashkimin Europian, bashkëpunimin rajonal dhe zgjerimin e BE me vendet e Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit si dhe rëndësinë e gjithëpërfshirjes në suksesin e procesit të anëtarësimit në BE.

Gjatë Shkollës së Integrimit Europian do të përdoret një shumëllojshmëri e metodave të mësimdhënies dhe të trajnimit si: leksione, prezantime praktike, dhe diskutime ndërvepruese me profesorë të njohur, si dhe ekspertë të nivelit të lartë kombëtar dhe ndërkombëtar për integrimin europian dhe Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu, Shkolla e Integrimit Europian do të përfshijë seanca bashkëbisedimi me përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë, institucionet e Bashkimit Europian dhe institucionet rajonale, të cilët do të diskutojnë me pjesëmarrësit mbi të ardhmen e Bashkimit Europian si dhe sfidat dhe skenarët e mundshëm në procesin e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë shkollë mund të aplikojnë nëpunës të administratës publike shqiptare, duke përfshirë edhe ata nga vetëqeverisja vendore dhe institucionet e pavarura, që punojnë në fushën e integrimit europian, të cilët synojnë të angazhohen në procesin e negociatave;
studiuesit e rinj dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse; gazetarë dhe përfaqësues të medias; përfaqësues nga komuniteti i biznesit dhe grupe të tjera interesi. /m.m//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.