Garancia sovrane II/ 303 biznese aplikuan për një fond rreth 12 miliardë lekësh

TIRANË, 12 tetor/ATSH/ 303 sipërmarrje në të gjithë vendin kanë aplikuar pranë bankave të nivelit të dytë për të përfituar fonde nga instrumenti i garancisë sovrane II që lëshoi qeveria shqiptare për kapital qarkullues dhe investime, për të përballuar situatën në të cilën u ndodhën këto kompani, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Referuar të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, kjo garanci sovrane aplikohet për bizneset e të gjithë sektorëve të ekonomisë që kanë nevojë për kapital qarkullues dhe investime për rimëkëmbjen e tyre.

Deri tani bizneset kanë aplikuar për një fond rreth 12 miliardë lekësh dhe janë aprovuar mbi 50% e aplikimeve nga bizneset.

Nga 303 aplikime, ministria bëri të ditur se janë miratuar 197 prej tyre për një vlerë prej rreth 6.3 miliardë lekësh.

Avantazhet e kredisë me garanci sovrane janë kushtet preferenciale të financimit, interes që nuk do të kalojë asnjëherë normën 5%, periudhë pa shlyerje të principalit prej 6 muajsh, garanci 60% nga shteti shqiptar për kolateral si dhe periudhë shlyerjeje 5-vjeçare. /a.gjonaj//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.