Investimi 79 milionë lekë/ Qendra e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në Fier, sipas modeleve industriale ndërkombëtare

TIRANË, 11 tetor /ATSH/- Qendra e Mirëmbajtjes së Rrjetit të Gazit në Fier, do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke u shndërruar në një kompleks me infrastrukturë dhe pamje bashkëkohore, sipas modeleve industriale të Snam, Itali.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, (MIE) publikoi pamje të dy realiteteve të ndryshme nga kompleksi i vjetër me godina të ndërtuara në vitet ’70-të dhe modelin e ri të kësaj qendre që transformohet sipas projekteve më të mira me standarde europiane.

“Në sajë të një investimi të ri me vlerë 79 milionë lekë, kompleksi i vjetër me godina të ndërtuara në vitet 70-të, që janë një burim ndotje për ambientin do të shndërrohen sipas modeleve industriale të Snam, Itali”.

“Ndërhyrje në kohë për çdo avari, kushte dhe siguri në punë për personelin” thekson MIE, ku përmes pamjeve evidentohet rehabilitimi i plotë i godinave me hapësirat e nevojshme të brendshme dhe të jashtme të sistemuara me të gjitha teknikalitetet e nevojshme.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.