SHBA – Pompeo: Veprimet ushtarake nuk janë mënyra për zgjidhjen e tensioneve në Mesdheun Lindor

UASHINGTON, 10 tetor /ATSH-ANA/ – Kërcënimet dhe aktivitetet ushtarake nuk janë mënyra për të zgjidhur tensionet në Mesdheun Lindor, deklaroi sekretari i Shtetit, Mike Pompeo gjatë një interviste.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse veprimtaritë provokuese të Turqisë i kanë dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme marrëdhëniet e saj me aleatët e saj të NATO-s, Pompeo tha se SHBA kanë nevojë që Turqia të jetë një partner i mirë i NATO-s për të ndihmuar në sigurinë e krahut jugor të saj.

Në vizitën e tij të fundit në Greqi, dhe posaçërisht në bazën mbrojtëse të gjirit Souda, në Kretë, sekretari tha se kishte shkuar atje për t’u siguruar që “partnerët e NATO-s në rajon, në Mesdheun Lindor, të gjejnë një mënyrë paqësore për të zgjidhur problemet dhe konfliktet e tyre detare”.

Ai theksoi se për mosmarrëveshjen për detet “ka mekanizma ligjore dhe ligje ndërkombëtare që mund të zgjidhin këtë problem”.

Në përfundim, ai shprehu shpresën se “çdo palë që është e angazhuar atje duhet të kthehet në tryezën e negociatave dhe të zgjidhë konfliktet”./  /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.