ROMË – Vatikani forcon kontrollin mbi flukset financiare

ROMË, 10 tetor /ATSH-AFP/ – Vatikani njoftoi sot një forcim të masave të kontrollit të rrjedhës financiare të njësive të ndryshme përmes ndryshimeve në një ligj që daton nga 2013.

“Ndryshimet e fundit janë pjesë e një strategjie globale, qëllimi i së cilës është të bëjë menaxhimin e financave të Vatikanit gjithnjë e më transparent, brenda kornizës së kontrolleve intensive dhe të koordinuara”, deklaroi në një intervistë të botuar nga Vatikani Carmelo Barbagallo, president i Autoritetit të Informacionit Financiar (AIF).

AIF, i konsideruar si polici financiar i shtetit të vogël, është përgjegjës për kontrollimin e flukseve financiare të Vatikanit brenda kuadrit të luftës kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.

Një ekip ekspertësh nga Moneyval, organi i Këshillit të Europës, që vlerëson masat kundër pastrimit të parave, filloi një inspektim dhjetë ditë më parë në Vatikan, i pesti i këtij lloji që nga viti 2012, në lidhje me një financimin të errët nga Selia e Shenjtë për blerjen e një ndërtese luksoze në Londër./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.