Rindërtimi/ Drejt përfundimit shkolla “Shaqe Mazreku” në Durrës, banorët për ATSH-në: Mjedise moderne, kanë punuar shumë shpejt


TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Rindërtimi i shkollës 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” është drejt përfundimit dhe shumë shpejt, brenda 26 nëntorit, 450 nxënës do të ndjekin mësimin tek mjediset e reja të strukturës arsimore që u dëmtua në mënyrë të pariparueshme vitin e shkuar për shkak të tërmetit të 26 nëntorit.

Agjencia Telegrafike Shqiptare vëzhgoi nga afër punimet në shkollën e pozicionuar në qendër të Durrësit ku dhjetëra punonjës janë të angazhuar në vendosjen e dritareve, sistemit elektrik dhe hidraulik dhe atij të mbrojtjes termike. Vendosja e pllakave ishte një proces tjetër që po përfundohej. Banorët thanë se në këtë shkollë punohet me tre turne.

“Shkolla e re që është bërë këtu është bërë një shkollë moderne dhe me cilësi mjaft të lartë. Shkollë e mrekullueshme e zgjeruar dy herë sa ishte. Është bërë një shkollë e klasit të lartë”,- tha një banor për ATSH.

“Këta kanë punuar shumë shpejt, iu lumshin krahët. Kanë ecur sa s’bën vaki. Ju lumshin duart punëtorëve që kanë punuar natë e ditë”,- u shpreh një banor tjetër. “Po shumë ide e mirë. Kam dëgjuar që punojnë 24 orë dhe natën”,- u shpreh një djalosh. “Po shumë lajm i mirë është…”,- tha një banore. “Shumë mirë! i lumshin duart Edi Ramës. E kanë bërë shumë shpejt dhe më kanë thënë që brenda është shumë shumë e mirë”,- nënvizoi një banore tjetër.

Andi Ajdini, inxhinieri i zbatimit tha se “objekti zhvillohet në të katërta katet”.

“Ka 24 klasa he 4 laboratorë. Kapaciteti i shkollës diku tek 450 nxënës. Pjesa e parë duke patur parasysh që s’ka oborr, shërben si holl. Në qendër të objektit kemi një atrium i cili merr ndriçim që nga sipër. Shkolla është me të gjitha standardet termike me sistem kapot. Klasat janë me ngrohje, me kaldajë. Objekti ka dhe ashensor për lëvizjen e personelit”,- përfundoi ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.