Në 25 prill, qytetarët më shumë forcë se kurrë më parë/ Zgjedhin partinë, programin, liderin por edhe deputetin që duan

 


TIRANË, 10 tetor/ATSH/ Më 25 Prill 2021 zgjedhësit shqiptarë gëzojnë të drejtën për të dhënë votë parapëlqyese për kandidatët e listave shumëemërore të çdo subjekti zgjedhor.

Përmes ndryshimeve kushtetuese dhe në ligjin zgjedhor, të mbështetura fuqimisht nga Partia Socialiste, zgjedhësit në pranverën e vitit të ardhshëm nuk do të votojnë më si deri më tani vetëm për partinë politike që ata preferojnë, por vota e tyre do të jetë përcaktuese për deputetin që ata duan t’i përfaqësojë në Kuvendin e shqiptarëve.

Ndërsa i drejtohet qytetarëve përmes një videomesazhi, Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste u shpreh se “në këto zgjedhje ti do të kesh më shumë forcë se asnjëherë më parë sepse nuk do zgjedhësh vetëm partinë, programin dhe liderin që që dëshiron, por edhe deputetin që do”.

“Dhe jo vetëm kaq, por me Partinë Socialiste ti mund të jesh njeri prej anëtarëve të skuadrës që do të fitojë 25 prillin për të shkuar edhe më përpara për Shqipërinë që duam”, tha Rama./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.