“Rruga e Kombit”/ E inauguruar në vitin 2010, por punimet u mbyllën 10 vite më pas

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Në autostradën Milot-Morinë, e njohur si “Rruga e Kombit”, tashmë kanë përfunduar punimet për ndërtimin e urave.

Autostrada me gjatësi rreth 170 kilometra është ndërtuar sipas standardeve bashkohore dhe falë investimeve të kryera siguria e lëvizjes në të është e lartë.

Sipas ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, rruga edhe pse zyrtarisht u inaugurua në vitin 2010, punimet për ndërtimin e saj përfunduan në realitet në vitin 2020.

Autostrada Milot-Morinë vlerësohet si një nga veprat më të rëndësishme infrastrukturore shqiptare, që krijon mundësi jo vetëm për dalje në tregje më të mëdha, por lidh ekonomikisht dy shtete të të njëjtit komb.

Me ndërtimin e kësaj autostrade, koha e udhëtimit nga Durrësi në Morinë u shkurtua nga 6 orë, në 2 orë e gjysmë, me një shpejtësi qarkullimi nga 80–130 km/h.

Kostoja fillestare e autostradës me katër korsi u përllogarit në rreth 600 milionë euro, por më pas ajo i kaloi 1 miliard eurot.

Ndërtimi i kësaj autostrade ndikon në rritjen e shkëmbimeve tregtare midis Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe në rritjen e numrit të turistëve. /a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.