Pas dekadash braktisjeje të Shëndetësisë/ Vijon me intensitet puna për ndërtimin e maternitetit të ri të Lezhës

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Në Lezhë po vijon me intensitet puna për ndërtimin e maternitetit të ri, brenda korpusit të këtij spitali rajonal.
Materniteti i ri është një investim i qeverisë shqiptare në shumën prej 3.2 milionë dollarë.
Kryeministri Edi Rama solli sot pamje nga ndërtimi i këtij maternitetit, që do të ofrojë kushte më të mira për mirëseardhjen e bebeve në jetë.
“Ndërtimi i maternitetit të ri, një nevojë e kahershme që po plotësohet siç e kemi premtuar, duke krijuar kushtet më të mira për mirëseardhjen e bebeve në jetë, pas dekadash braktisje të shëndetësisë në qarkun verior. Vijojnë investimet për rilindjen e materniteteve në vend, nga veriu në jug”, – theksoi Rama.
Kryeministri bëri të ditur se vijon edhe programi universal i bonusit të bebes për çdo të porsalindur. Vetëm gjatë këtij viti 26 379 fëmijë kanë përfituar nga shpërblimi financiar i qeverisë nga 40 000-120 000 lekë.

 

Materniteti i ri i Lezhës do të ketë mbi 3000 m2 sipërfaqe ndërtimi, godina do të jetë 5 kate, 4 kate mbitokë dhe 1 kat nëntokë. Do të ketë 3 salla lindje, dy salla operacioni dhe pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.