Kryenegociatori Mazi, takime në Gjermani/ Shqipëria, shumë pranë plotësimit të kërkesave për Konferencën Ndërqeveritare

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Janë zbardhur zyrtarisht takimet që Zef Mazi, Kryenegociator i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me BE-në, zhvilloi në Gjermani së bashku me një delegacion.

Gjatë qëndrimit, Kryenegociatori Mazi kreu disa takime në Kancelarinë Federale dhe Ministrinë Federale të Punëve të Jashtme, thuhet në njoftim.

“Kryenegociatori Mazi dhe delegacioni që e shoqëronte, i përbërë nga zëvendësministrja e Drejtësisë, znj. Adea Pirdeni, zëvendësministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari dhe  Drejtuesi i SPAK, z. Arben Kraja, zhvilluan një seancë dëgjese në Komitetin e Çështjeve Europiane në Bundestag. Seanca dëgjimore u kryesua nga Zëvendëskryetari i Komitetit, deputeti Markus Töns (SPD) dhe në të morën pjesë nga grupet parlamentare të SPD (deputetët Baradari/Petry), të FDP ( deputeti Hacker), të Di Linke (deputeti Hunko), të Die Grune (deputeti Sarrazin)”, mësohet për mediat.

Kryenegociatori Mazi u takua edhe me Raporteren e CSU për Shqipërinë në Komitetin e Cështjeve Evropiane, znj. Katrin Staffler.

Bashkëbiseduesve iu dha informacion i gjerë  dhe i përditësuar për ecurinë e reformave dhe rezultatet konkrete për përmbushjen e prioriteteve të Këshillit, përpara KNQ së Parë, specifikisht në reformën e gjyqësorit dhe në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç konfirmoi edhe Raporti 2020 për Shqipërinë i Komisionit Evropian, Shqipëria është fare afër përmbushjes së prioriteteve përpara KNQ së parë.

Bashkëbiseduesit gjermanë njohën dhe mirëpritën zhvillimet shumë pozitive në përmbushjen e prioriteteve përpara KNQ së parë nga Shqipëria dhe konfirmuan mbështetjen gjermane, përfshirë në kuadër të Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së, për bërjen të mundur të mbajtjes së KNQ-së së parë me Shqipërinë brenda 2020-ës, nëse Shqipëria vazhdon të delivrojë për të përmbushur prioritetet e mbetura.

Sipas njoftimit, bashkëbiseduesit ranë dakord për të intensifikuar kontaktet, përfshirë ato në nivel parlamentar, për informim në vazhdimësi nga Shqipëria të përmbushjes së kërkesave të Këshillit para KNQ-së së parë. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.