Basha me biznesin në Lushnjë: 100 milionë euro subvencione vjetore direkte për fermerët

TIRANË, 9 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së Lulzim Basha deklaroi se në qeverisjen e ardhshme të Partisë Demokratike, çdo vit për sektorin e bujqësisë do të akordohen 100 milionë euro.

Gjatë një prononcimi për mediet, pas disa takimeve që ai zhvilloi me biznese në Lushnjë, Basha tha se plani i PD-së është një Shqipëri ku të fitojnë të gjithë.

“Ne kemi propozuar që përgjatë këtij viti, për ato familje që kanë humbur punën, të bëheshin pagesa mujore 160 mijë euro. Me planin tonë për bujqësinë, nuk do të bëjmë mrekulli, por do të bëjmë atë që bën Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Vit për vit do të kemi 100 milionë euro për bujqësinë, apo dhe 50 mln euro për infrastrukturën bujqësore. Që asgjë mos të hidhet në kanal dhe asgjë mos të shkojë kot. Që produkti jo vetëm mos të hidhet, por të konkurrojë denjësisht”, tha ai.

Po ashtu, Basha shtoi se me këtë plan do të shërojmë dhe një plagë që është largimi i të rinjve nga Shqipëria.

“S’ka familje në Lushnjë, në Fier, fëmijët e ë cilave nuk largohen nga vendi, për një jetë më të mirë. Ata që duhet t’i mbajnë në punë s’kanë më të ardhura dhe i heqin. Një tjetër masë që do të hiqet, është taksa mbi karburantin që u rrit me 20 lekë për litër karburantin, pavarësisht protestës së opozitës”, tha Basha.

Më herët, Basha zhvilloi takime me sipërmarrës nga sektori i agrobiznesit, me fermerë, grumbullues dhe punëtorë. Basha i prezantoi fermerët dhe sipërmarrësit e Lushnjës me disa pika kryesore të programit të PD-së për bujqësinë, si: 100 milionë euro subvencione vjetore direkte për fermerët shqiptarë; 50 milionë euro investime për modernizimin e infrastrukturës bujqësore; heqjen e taksës së qarkullimit 240 lekë për litër që do të ulë çmimin e karburantit.
“Me programin e Partisë Demokratike për bujqësinë, fermerët, – tha Basha, – do t’i përkasin shtresës së mesme, jo të jenë skllevër të orekseve të pushtetit”.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.