Rindërtimi/ Miratohet përdorimi i mbi 253 milionë lekëve për rikonstruksionet e pallateve në Vorë dhe Lezhë

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e fundit përdorimin e fondit të Rindërtimit, në masën 253 463 855 lekë, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe njësive të banimit në pallat, për të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit në bashkitë Vorë dhe Lezhë.

Këtë grant e përfitojnë familjet banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë si pasojë e fatkeqësisë natyrore dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para dhe rikonstruksionit ose riparimit të mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në pallat.

Efekti financiar, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të përballohet nga pjesa e financuar nga grantet e fondit të rindërtimit, miratuar për vitin 2020, dhe t’u kalojë bashkive Vorë dhe Lezhë.

Bashkisë Vorë i transferohet fondi prej 35 550 000 lekësh, për financimin e rikonstruksionit të banesave individuale dhe të njësive të banimit në ndërtesa (pallat), për ata individë të cilët përfitojnë nga grantet e rikonstruksionit, banesat e të cilëve janë klasifikuar si objekte të dëmtuara rëndë apo të dëmtuara lehtë, si pasojë e fatkeqësisë natyrore, dhe që nuk duhen rindërtuar nga e para.

Bashkisë Lezhë i transferohet fondi prej 217 913 855 (dyqind e shtatëmbëdhjetë milionë e nëntëqind e trembëdhjetë mijë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë) lekësh, për financimin për rikonstruksion ose riparimin e mjediseve në bashkëpronësi ose të përbashkëta në ndërtesa (pallat).

Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen ministri i Shtetit për Rindërtimin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe bashkitë Vorë dhe Lezhë për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.