“Nuk u prek marrëveshja e 5 qershorit”/ Koçi: Kodi Zgjedhor, i ndryshuar në përputhje me Kushtetutën

TIRANË, 8 tetor /ATSH – I. Vata/ “Kemi një Kod Zgjedhor të ndryshuar i cili është në përputhje me marrëveshjen e 5 qershorit, pra asnjë germë nuk ka ndryshuar nga marrëveshja e 5 qershorit. Ndërkohë kemi ndryshime kushtetuese që i ka bërë Kuvendi dhe ndryshimet janë në përputhje me Kushtetutën”, tha sot zëvendësministri i Mbrojtjes Petro Koçi, i ftuar në një emision televiziv.

Koçi shtoi se “sigurisht që do të ishte e udhës të kishim një konsensus në Këshillin Politik lidhur me këto ndryshime të mëtejshme që nuk e prekin marrëveshjen e 5 qershorit, por ka qenë e pamundur me një opozitë me natyrë destruktive e cila nuk mendon për parametra zgjedhorë, por mendon vetëm për interesa të ngushta politike”.

“Kodi që ka qenë në fuqi, me mënyrën sesi partitë hynin në zgjedhje dhe sesi mblidheshin vota dhe si përktheheshin në mandate, në fakt ishte një sistem i pastër “Dushku”. Votat që mblidheshin në një mënyrë mazhoritare ktheheshin në proporcionale për partitë që nuk ishin votuar kurrë. Imagjinoni një parti politike e cila është një nga kryesoret në vend duke krijuar një trend të madh me parti të vogla politike, krijonte mundësi që nëpërmjet këtyre partive të mblidhte vota të pakta, por në fund të merrte një numër të konsiderueshëm votash që në fund ktheheshin në mandate, që trafikoheshin nga këto parti te partia kryesore e një blloku”, tha ai.

Në vijim, Koçi shtoi se “tashmë ky ‘sistem i Dushkut’ ra dhe besoj do të lidhet më drejtpërdrejtë vota e qytetarit me mandatin politik dhe me mandatin e deputetit në përbërjen e koalicioneve, të cilat tashmë e kanë të mundur të organizohen si të tilla, të kandidojnë dhe garojnë si të tilla. Do kenë një listë të përbashkët, por jo me ato lista me një numër të pafundmë kandidatësh të cilët shërbenin për të vjelë vjedhurazi vota që shkonin në favor të partive apo kandidatëve të tjerë”.

“Opozita është jashtë parlamentit, pra është vetëpërjashtuar nga procesi parlamentar. Është gjetur një artificë, Këshilli Politik, i cili u shfrytëzua për të rritur konsensusin politik që në fakt ka funksionuar në një farë mase brenda parlamentit me opozitë parlamentare të emëruar nga PD-LSI, apo nga Berisha dhe Meta, sepse drejtuesit realë të opozitës janë Berisha dhe Meta. Është ky çifti që unë e konsideroj kriminal dhe Basha e Kryemadhi janë kukullat e tyre, asgjë më tepër. Pra, kandidatët e emëruar prej tyre u futën në Parlament në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e këtij vendi dhe ndryshe nga mendimi dhe veprimet aventureske të PD dhe LSI patën një sjellje shumë me konstruktive dhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë dhe meritë e tyre”, përfundoi Koçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.