Integrimi në BE/ Qeveria holandeze: Në nëntor vendoset për paketën e zgjerimit

TIRANË, 8 tetor /ATSH/ Qeveria holandeze sqaroi sot se në takimin e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor do të diskutohet paketa e zgjerimit.

Qeveria holandeze reagoi pas lajmit të publikuar në disa media, sipas të cilit, parlamenti holandez ka vendosur ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare.

Ambasada e Holandës në Tiranë shpërndau qëndrimin zyrtar të qeverisë holandeze ku thuhet se, “sikurse është rënë dakord me Parlamentin, qeveria holandeze është angazhuar të përditësoje rregullisht parlamentin sa i takon çështjes së zgjerimit të BE-së. Diskutimet e djeshme në parlament ishin pjesë e këtij angazhimi”.

Dje, vijon qëndrimi i qeverisë holandeze, “parlamenti holandez diskutoi shkurtimisht një letër që Ministri i Jashtëm, Blok i pati dërguar parlamentit në datë 4 shtator. Letra i referohej draftit të kuadrit të negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, shpërndarë nga Komisioni Europian në datën 1 korrik dhe së fundmi po diskutohet në Bruksel”.

“Në datën 6 tetor, Holanda gjithashtu mori paketën vjetore të zgjerimit të publikuar nga Komisioni Europian, pjesë e të cilës është dhe raport progresi për Shqipërinë për 2020. Si zakonisht, qeveria holandeze do t’i dërgojë një vlerësim të kësaj pakete parlamentit në javët në vijim. Kjo do të vijohet nga një debat sipas procedurave parlamentare. Do të jetë takimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme në nëntor ku do të diskutohet paketa e zgjerimit”, përfundon qëndrimi zyrtar i qeverisë holandeze.

/gj.mima//a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.