”EasyJet” humbja e parë vjetore historike nga COVID-19

LONDËR, 8 tetor /ATSH-AFP/ – Kompania ajrore britanike ”EasyJet” pësoi humbjen e parë vjetore në 25 vjet të historisë dhe shqetësohet për muajt e vështirë në të ardhmen, nga fakti i një trafiku ajror të goditur nga kriza shëndetësore.

Transportuesi ajror njoftoi sot në një komunikatë se parashikonte një humbje prej 815-845 milionë stërlinash për vitin fiskal 2019-2020, që përfundon në shtator (mes 895 dhe 928 milionë euro).

“Këtë vit, kjo do të jetë hera e parë në histori e saj që ‘EasyJet’ do të realizojë një humbje”, theksoi me keqardhje Johan Lundgren, drejtor i përgjithshëm i kompanisë.

Numri i udhëtarëve të transportuar ra me 50% në 48 milionë në vit.

Transportuesi, i themeluar në vitin 1995, ka vuajtur kryesisht nga ndërprerja e fluturimeve në pranverë për shkak  të kufizimeve dhe shtrëngimeve të lëvizjes në Europë, gjë që i ka kushtuar shumë shtrenjtë.

“Sektori ajror vazhdon të përballet me kërcënimin më të rëndë në histori dhe qeveria britanike duhet në mënyrë urgjente të ndërhyjë me një sërë masash me qëllim që kompanitë ajrore të mund të ndihmohen për rimëkëmbjen ekonomike”, theksoi drejtuesi i kompanisë, Lundgren./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.