Varhelyi, fjalim në Kuvend: Rruga e vetme e Shqipërisë në BE; investime 9-20 miliardë euro për rajonin

TIRANË, 7 tetor/ATSH – I. Vata/ “Shpresojmë shumë që gjatë presidencës gjermane ne të kemi marrëveshje dhe dakordësim nga shtetet anëtare për të thirrur konferencat e para ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, tha sot në fjalën e tij në Kuvend, Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

Varhelyi në fjalën e tij në Kuvend iu drejtua deputetëve duke i siguruar se BE është me shqiptarët. “Ne do ju qëndrojmë pranë dhe jemi me ju, po punojmë me ju që ju të bëheni shtet anëtar i BE, shtet i integruar plotësisht në jetën tonë”, u shpreh Varhelyi.

“Ballkani Perëndimor ka qenë përparësi për këtë komision. Ju mund ta keni parë që prej ditës së parë që ne filluam punë, ne kemi qenë të angazhuar për të treguar rezultate dhe për të mbajtur premtimin për Ballkanin Perëndimor dhe e theksojmë këtë angazhim për rajonin”, tha ai.

Në vijim, Varhelyi shtoi se jemi të bindur se e ardhmja e të gjithë rajonit është në Bashkimin Europian dhe është në interesin tonë strategjik që t’ju sjellim gjithnjë e më afër në BE.

“Puna jonë ka vazhduar në tre drejtime kryesore për të rigjallëruar procesin e zgjerimit, për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të përshpejtuar konvergjencën ekonomike të rajonit me Bashkimin Europian. Sa u përket objektivave të para ne kemi marrë disa masa të rëndësishme sivjet. Kemi kaluar ngërçin që kishim në këshill për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në sajë të metodologjisë së re të rishikuar të zgjerimit. Komisioni tashmë ka propozuar kuadrin negociues me të dyja këto vende dhe po vijon ende në këshill diskutimet për këto çështje”, theksoi Varhelyi.

Po ashtu, Varhelyi tha se sa i përket konvergjencës ekonomike pandemia e bën atë edhe më sfiduese.

“Përpjekjet tona kanë shkuar kryesisht në dhënien e asistencës së konsiderueshme në rastin e emergjencave për rajonin për të ndihmuar rimëkëmbjen ekonomike. Duke ecur më tej, fokusi ynë është për të ndihmuar në rigjenerimin socio-ekonomik dhe rimëkëmbjen socio-ekonomike të rajonit dhe konvergjencën ekonomike. Ne duam që ta mbyllim sa më shpejt hendekun ekonomik që ekziston midis rajonit tuaj dhe BE-së. Sa më shpejt ta mbyllim këtë hendek, sa më shpejt të kemi mundësinë të krijojmë ekonomi tregu rezistente, të forta, të qëndrueshme, aq më shpejt do keni mundësi ju të bëheni pjesë e familjes sonë”, tha komisioneri.

“Prandaj kemi përgatitur planin e investimeve ekonomike që u miratua dje nga kolegji i komisioneve. Ky plan ekonomik ose plani i investimeve ekonomike do shërbejë për të promovuar rimëkëmbjen afatgjatë, pra duke çuar po ashtu në rritje të konsiderueshme ekonomike. Po ashtu, do të ndihmojë dhe në zbatimin e reformave duke e çuar drejt BE-së, duke e sjellë kështu gjithnjë dhe më afër Ballkanin Perëndimor me tregun e BE-së. Paketa e investimeve është e strukturuar në disa fusha teje të rëndësishme”, tha komisioneri Varhelyi.

“Ne nuk jemi këtu për t’u treguar se cilat duhet të jenë përparësitë apo prioritete tuaja, por jemi këtu për të bashkëpunuar me ju për të gjetur pikërisht ato përparësi me anë të të cilave do të krijohen vende pune, më shumë rritje ekonomike dhe për këtë arsye ne kemi biseduar më të gjitha vendet e rajonit dhe kemi kuptuar se sfidat më të mëdha kanë të bëjnë me transportin, energjinë, mjedisin, fushëm digjitale, sektorin privat dhe rininë. Këto shikojmë ne si fushat me një potencial madhor për të dhënë kontribut shumë të rëndësishëm për rritjen ekonomike dhe për vendet e punës në tregun e punës. Plani i investimeve ekonomike tregon fare qartë këtë paketë investimesh të konsiderueshme. Ne kemi për synim të mobilizojmë 9 miliardë euro me anën e granteve dhe kjo me anën e instrumentit të ardhshëm të asistencës së paraaderimit 3 në mënyrë që të arrihet konvergjenca ekonomike e rajonit me BE”, vijoi komisioneri.

“Përveç kësaj kapaciteti i investimeve të rajonit duhet po ashtu të ushqehet nga një mobilizim i një mekanizmi të ri për Ballkanin Perëndimor me synimin që të arrihet një potencial investimesh deri në 20 miliardë euro. Kjo do të sjellë të mira të konsiderueshme për rajonin, qytetarët, biznesin ekonominë duke përfshirë këtu natyrisht edhe Shqipërinë. Për sa u përket investimeve, plani merr parasysh mbështetje në disa fusha të cilat janë të rëndësishme për Shqipërinë, pra për transportin. Korridori blu i cili do të jetë në bregdetin Adriatik, po ashtu korridori mesdhetar, po ashtu në fushën e energjisë, Fierzën por edhe avancimin e ndërtimit të Skavicës, dhe një pjesë të ndërtimit të Fier-Vlorës, si dhe të gjithë pjesës së Adriatikut në bregdet. Po ashtu edhe sistemet e integruara janë në sisteme paralele dhe natyrisht këtu flasim dhe për landfillet si edhe për skemën digjitale”, vijoi ai.

“Paketa do të japë themelet për një pjesë e cila do të jetë e qëndrueshme, novative për ekonomi të cilat do të ecin përpara me sektorin privat, gjithnjë e më shumë dinamik”, shtoi ai.

Gjithashtu, Varhelyi tha se ne e shikojmë këtë rajon si një rajon i cili ka potencialin për të qenë një qendër investimesh dhe ndoshta qendra më tërheqëse në të gjithë botën.

“Ballkani Perëndimor ka potencialin për të tërhequr investime nga kompani tona të cilat tashmë po shikojnë pikërisht mënyrën sesi mund t’i shkurtojnë zinxhirët e vlerës, po ashtu për të parë edhe klimën e biznesit të cilët bazohen tek infrastruktura, te kapitali njerëzor që ju të keni ekonomi digjitale të gjelbra, pra me sy drejt së ardhmes. Me këtë plan investimesh ne synojmë që rajonin ta sjellim pranë BE-së por dhe të promovojmë bashkëpunimin në rajon. Po të shikojmë kemi një sërë projektesh të cilat sjellin këtë bashkëpunim dhe këtë pjesëmarrje rajonale”, tha Varhelyi.

Në vijim, Varhelyi tha se “gjatë krizës së COVID, rajoni tregoi se mund të bashkëpunojë dhe ky sukses duhet të frymëzojë integrimin e ardhshëm ekonomik. Gjatë 6 muajve të fundit qeveritë e Ballkanit Perëndimor janë përfshirë për të parë një vizion të ri për këtë zonë të Ballkanit Perëndimorë, për këtë treg të përbashkët rajonal, pra një plan ambicioz për të pasur këtë treg rajonal të përbashkët në Samitin e Sofjes me datën 10 nëntor. Ky do të jetë kritik për të shtuar tërheqjen që do të ketë dhe konkurrushmërinë që do të ketë rajoni. Unë dëshiroj që ta shoh Ballkanin Perëndimor që të jetë një qendër investimesh për të gjithë investuesit global për të rritur zinxhirët e tyre të tregtisë dhe për të diversifikuar ofertën”.

“Po ashtu, dua të them se vetëm investimet dhe rritja ekonomike do të bëhen vetëm se dhe qeveritë angazhohen tërësisht për këtë gjë dhe zbatojnë reformat thelbësore të cilat janë të bazuara në vlerat europiane. Pra nëse bëhet fjalë për reformën strukturore ekonomike, fuqizimin e sundimit të ligjit, përmirësimin e administratës publike. Këto reforma janë thelbësore për të krijuar një mjedis të mirë për vijimin e vendeve të punës dhe për investime të qëndrueshme. Dhe në këtë kuadër paketa e viti 2020 për zgjerim së bashkua me planin e investimeve ekonomike tregojnë një panoramë shumë të qartë të situatës, mënyrës se si ne e shikojmë situatën për reformat thelbësore si dhe për përparësitë për vendet tuaja që të cilat qëndrojnë në thelb të procesit të aderimit. Këto janë pikat kryesor që do të jenë kushtet thelbësore që duhen përmbushur jo vetëm për të patur sukses në planin e investimeve ekonomike por dhe për të çuar përpara në rrugëtimin tuaj drejt BE-së”, tha ai.

Gjithashtu komisionari Varhelyi shtoi se “në fakt ne kemi pikërisht ato propozimet për këtë qasje të përmirësuar në paketën e zgjerimit dhe vlerësimet dhe rekomandimet e sivjetshme janë edhe më të qarta dhe më të sakta. Shtete anëtare janë konsultuar ngushtësisht gjatë procesit dhe kanë dhënë ekspertizën dhe kontributin e tyre”.

Duke folur për raportin vjetor të Komisionit Europian Varhelyi tha, “se ne kemi thënë se Shqipëria i ka ndjekur me vendosmëri përpjekjet për reforma dhe autoritet vazhdojnë të demonstrojnë apo të tregojnë angazhimin e tyre për të çuar përpara në rrugëtimin e tyre drejtë BE-së. Vendi juaj ka bërë përparim vendimtarë dhe është pranë përmbushjes së të gjitha kushteve që duhen arritur para konferencës së parë ndërqeveritare”.

Komisioneri i Bashkimit Europian për Fqinjësi dhe Zgjerim Oliver Varhelyi vlerësoi reformë në drejtësi dhe kryesisht Vetingun.

“Ka vijuar zbatimi i reformës në drejtësi, rivlerësimi i përkohshëm apo Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve ka vijuar në mënyrë të qëndrueshme. Ndaj më lejoni të përgëzoj institucionet e Vetingut, si dhe operacionin tonë ndërkombëtarë të monitorimit për punë e madhe dhe tërësore që ata kanë bërë duke dhënë një kontribut të shkëlqyer për një të ardhme më të mirë për qytetarët e Shqipërisë. Po ashtu janë hapur proceset e aplikimit për dy pozicione vakante në Gjykatën Kushtetuese. Gjykata e Lartë ka rifituar korumin dhe është funksionale. Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit është përfunduar krijimi i trupave të reja në këtë çështje. Po ashtu ka patur ecuri në zbatimin e ligjit ku ne kemi parë një numër operacionesh të mëdha dhe të suksesshme ndërkombëtare”, tha ai.

Në vijim Varhelyi tha se, “kam mirëpritur rezultatin pozitiv të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, maturish për zgjedhjet e cila zbaton rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe në fakt unë inkurajojë të gjitha palët që të mbajnë fokusin te këto reforma të domosdoshme të Shqipërisë përfshirë reformat që parashikohen në marrëveshjen e 5 qershorit. Më lejoni që të jem i qartë, reforma zgjedhore është kusht për konferencën e parë ndërqeveritare. Shqipëria duhet të ruaj ritmin e këtyre përpjekjeve dhe të vijojë me reformat përkatëse në ato fusha që janë identifikuar qartë në përfundimet e takimit të marsit të Këshillit të BE-së”.

“Vijimësia e këtyre reformave nga ana e Shqipërisë do të jetë shumë e rëndësishme përsa i përket kuadrit negociues. Pra të gjitha institucionet do duhet të punojnë me njëra tjetrën për të bërë të mundur që Shqipëria të vazhdojë të eci përpara në rrugëtimin e saj drejt BE-së, kjo në të mirë të qytetarëve të Shqipërisë. Shqipëria ka kaluar një periudhë të vështirë. Së pari në nëntor të viti 2019 tërmeti i tmerrshëm dhe më pas kriza e COVID-it. Ne ju kemi qëndruar pranë duke ju dhënë një asistencë që nuk kishte njohur precedent të tillë dhe ne vazhdojmë të qëndrojmë krah jush. E në mes të këtyre sfidave të jashtme edhe Shqipëria i dha BE-së ndihmë e saj, madje në kulmin e krizës duke i çuar personel mjekësor qytetarëve të BE-së”, tha ai.

“Më lejoni që unë të shpreh mirënjohjen tonë të thellë, por dhe besimin që kemi tek ju dhe inkurajimin që ju do të vazhdoni të përqendroheni në rrugën e reformave edhe në periudhën në vijim”, tha ai.

“Ne jemi në një moment kyç, në momentin që Shqipëria gjendet më pranë se kurrë përpara BE-së, prandaj kontributi juaj, kontributi i forcave dhe të segmenteve të shoqërisë është kyç dhe me vendosmëri për të ardhme. Le ta marrim këtë hap tjetër për të ardhmen e Shqipërisë”, përfundoi Varhelyi.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.