Reforma në Drejtësi vlerësohet nga BE/ Linde: Vetingu i gjyqtarëve është zhvilluar shumë mirë

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ “Vettingu i gjyqtarëve deri më tani është zhvilluar shumë mirë”, deklaroi sot ministrja e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde në një konferencë për shtyp me Kryeministrin Edi Rama.

E pyetur mbi progresraportin e publikuar dje nga Komisioni Europian për Shqipërinë, Linde tha se, “ne mbështesim paketën e zgjerimit dhe e diskutuam ditën e djeshme paketën për Ballkanin Perëndimor dhe patjetër pjesë e kësaj problematike do të jenë reformat në vijimësi, përparimi mbështetur në merita. Dhe në të njëjtën kohë mund të shikoj që një nga gjërat pozitive që raporti thoshte për Shqipërinë ishte pikërisht për reformën në drejtësi. Vetingu i gjyqtarëve deri më tani është zhvilluar shumë mirë. Pra patjetër që është diçka që ne e shikojmë me shumë pozitivitet”.

Sa i përket situatës së azilkërkuesve në Suedi, Linde tha se, “kur bëhet fjalë për azilkërkuesit në Suedi ka një proces për këtë. Ne kemi pasur probleme për shembull nga disa vende të cilat kanë pasur kërkesa të pabazuara azili. Në Suedi nëse nuk merr azil, atëherë duhet të riatdhesohesh dhe kjo vlen për të gjitha kërkesat e pabaza për azilkërkuesit. Në të njëjtën kohë japim mundësi të njëjtë për të gjithë që të kërkojnë azil sipas të drejtës ndërkombëtare”.

Për ligjin e medias, Linde u shpreh se, “Suedia është një mbrojtje e zëshme për lirinë e medias dhe mendoj se është e rëndësishme që qeveria të konsultohet me shoqërinë civile dhe me gazetarët gjatë këtij procesi duke thënë që liria e medias është një nga të drejtat bazike për çdo vend demokratik dhe për vendet kandidatë për në BE, siç është Shqipëria”.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.