Raporti i KE-së/ Shqipëria, hapa të shkëlqyer në të gjitha drejtimet

TIRANË, 7 tetor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla në fjalën e tij në Kuvend falenderoi Komisionerin për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Olivér Várhelyi për prezantimin e paketës së zgjerimit dhe planin e investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Balla tha se, “raporti është dhe një konfirmim i vlerësimit të punës së Kuvendit për punën që ka bërë në funksion të realizimit të shumë prej çështjeve, në ato 15 detyra që lidheshin me detyrat e vendosura nga Komisioni Europian më 25 mars të këtij viti”.

“Kuvendi, edhe opozita parlamentare, edhe shumica kanë dhënë kontributin e tyre në përmbushjen e detyrave”, tha ai.

Në vijim, Balla theksoi se sipas raportit që Komisioneri Várhelyi prezantoi në Kuvend, kemi bërë hapa të shkëlqyer në të gjitha drejtimet.

“Sikur na ndodhi fatkeqësia me tërmetin dhe Komisioneri Várhelyi gjeti rastin të ritheksojë se nuk ka një vend tjetër në Europë që brenda një kohe kaq të shkurtër të jetë goditur nga dy tërmete me dëme të mëdha dhe pandemia. Në këto kushte Shqipëria sipas raportit që Komisioneri prezantoi në Kuvend, kemi bërë hapa të shkëlqyer në të gjitha drejtimet. Në luftën kundër krimit të organizuar edhe në kuadër të operacionit Forca e Ligjit, por edhe në aspekte të tjera siç është vijimi i implementimit të Reformës në Drejtësi. Është e vërtetë se Kuvendi ka për të përmbushur dhe një vend në Gjykatën Kushtetuese, por biem dakord se nuk është përgjegjësi e Kuvendit”, theksoi Balla.

Në përgjigje të deputetit Myslim Murrizi, që për ligjin “Për planifikimin e zhvillimin e territorit” i cili krahason qeverinë me atë të djeshmen, Balla tha se, “Murrizi u mundua që të bënte krahasime të cilat nuk qëndrojnë, ose më mirë, u mundua të kritikonte dy qeveritë 2005-2014 dhe 2013-2020. Më lejoni të them dy gjera që bëjnë diferencën. Në 8 vite të qeverisë së Saliut i cili erdhi në pushtet me kartën e legalizimeve, në Shqipëri u legalizuan 21 mijë ndërtesa. Në 7 vite të qeverisjes socialiste ne kemi bërë 10 herë më shumë 210 mijë legalizime dhe është një shifër kuptimplotë. Ajo që ka bërë PS është se në rast se në ligjin e Saliut shqiptarëve nuk i legalizoje banesën, ajo u shembej pa shpërblim, me ligjin e PS ne i kemi garantuar shqiptarët se nëse nuk të legalizohet banesa ne i kemi dhënë mundësi ta trajtojmë me banesë sociale apo me dëmshpërblim për koston e ndërtimit”. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.