COVID-19/ Stimuli i njëkohshëm fiskal, monetar dhe financiar, shmangu pasojat më negative

TIRANË, 7 tetor /ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko u shpreh sot se, “ndikimi i pandemisë në ekonomi ka qenë i plotë dhe serioz në tremujorin e dytë, por ka ardhur drejt reduktimit në muajt në vazhdim”.

“Stimuli i njëkohshëm fiskal, monetar dhe financiar, ka rezultuar efektiv në shmangien e pasojave më negative të goditjes. Lehtësimi i masave të distancimit social, stabiliteti i tregjeve financiare, si dhe shëndeti i bilancit të sektorit bankar, përbëjnë premisa për një rikuperim gradual të aktivitetit ekonomik në të ardhmen”, theksoi Sejko.

Guvernatori tha se, “duke gjykuar dhe mbi projeksionet e skenarit bazë dhe balancën e rreziqeve rreth tyre, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Për këtë arsye, norma bazë e interesit për lekun nuk ndryshon dhe mbetet në nivelin 0.5% dhe interesi i depozitave dhe kredive njëditore, mbeten respektivisht në 0.1% dhe 0.9%”.

Në përfundim të diskutimit, Këshilli Mbikëqyrës vlerësoi se qëndrimi aktual i politikës monetare mbetet i përshtatshëm. Kushtet aktuale monetare ofrojnë stimulin e nevojshëm për nxitjen e rritjes ekonomike dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022. Megjithatë, përshkallëzimi i mëtejshëm i goditjes apo krijimi i vështirësive në mekanizmin e transmetimit të politikës monetare, do të kërkonin rritjen e stimulit monetar. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.