Tabaku: Sot mjekët kanë pagat më të ulta dhe taksat me të larta në rajon

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se, sot mjekët kanë pagat më të ulta dhe taksat me të larta në rajon.

“Sipas OBSH, Shqipëria është vendi me numrin e mjekëve më të ulët në rajon, 12.16 mjekë për 10 mijë banorë, 950 mjekë janë në pritje për të ikur jashtë e mijëra janë larguar”, u shpreh Tabaku.

Ndërkohë, shtoi ajo, “buxheti i shtetit ka paguar rreth 100 milionë euro për Partneritetet Publike-Private në shëndetësi, ndërsa do të paguajë dhe 270 milionë euro të tjera në vitet në vijim”.

“Pagat e mjekëve janë rritur 7 për qind vetëm në vitin elektoral 2017. Nuk është taksë progresive, është taksa 23% mbi shtresën e mesme dhe që sot ka dëmtuar më rëndë profesionistët e vërtetë. Sot mjekët kanë pagat më të ulëta dhe taksat më të larta në rajon”, tha Tabaku.

“Partia Demokratike ka një plan për ta nxjerrë shëndetësinë nga kriza, për të vendosur pacientin në qendër e jo koncesionin, për të rritur pagat dhe për të ofruar atë që Rama s’e bëri për 8 vite”, theksoi ajo.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.