Skema e subvencionimit për tufën bazë do të vijojë/ Këtë vit, blegtoria ka marrë mbështetje rekord prej 727 milionë lekësh

TIRANË, 6 tetor /ATSH – I. Vata/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi deklaroi sot se këtë vit blegtoria ka marrë mbështetjen më të madhe me fonde, plot 727 milionë lekë.

Nga Lunxhëria e Gjirokastrës ku u takua me blegtorë që kanë përfituar subvencionet nga fondet e buxhetit të shtetit dhe ku bashkia po punon për rehabilitimin e 9 lerave të ujit, të cilat janë të domosdoshme për mijëra krerë, kryesisht të imta që kullosin në këtë zonë, Çuçi theksi se skema do të vijojë.

Sipas tij, skema e subvencionimit për tufën bazë do të shtrihet për disa vite.

“Si asnjëherë tjetër, këtë vit blegtoria ka marrë mbështetjen më të madhe me fonde, plot 727 milionë lekë. Skemën e subvencionimit për tufën bazë do ta shtrijmë për disa vite sepse duam ta çojmë blegtorinë në një tjetër nivel. Shqipëria i ka të gjitha kushtet dhe mundësitë për zhvillimin e këtij sektori shumë të rëndësishëm për ekonominë tonë”, theksoi Çuçi. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.