Shkolla dhe kopshti “Njazi Mastori” në Sukth gati në 16 nëntor, kushte optimale për 970 nxënës dhe 110 fëmijë

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ Rreth 970 nxënës dhe 110 fëmijë të shkollës 9-vjeçare e kopshtit “Njazi Mastori” në Sukth, Durrës, që u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntorit, do të kenë kushte me standarde europiane.

Në kuadër të programit të Rindërtimit pas tërmetit, shkolla 9-vjeçare e kopshti “Njazi Mastori”, është vetëm 40 ditë larg nga përfundimi i punimeve.

Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj gjatë inspektimit në këtë kantier u shpreh se, “është një nga projektet më të mëdha ndër 143 objektet arsimore që do të rindërtohen. Shkolla e re është dizenjuar për të akomoduar 970 nxënës, në hapësirën me 27 klasa për mësim, 8 laboratorë, palestër dhe ambiente të jashtme të gjelbëruara”.
“Ambiente të reja, më të bukura, më të sigurta e më bashkëkohore, edhe për 110 vogëlushit e kopshtit, krahas funksioneve të një qendre komunitare model”, – tha Ahmetaj.
Gjatë inspektimit të punimeve, inxhinieri e informoi ministrin Ahmetaj, se aktualisht kanë përfunduar punimet në strukturën e karabinasë, ndërsa kanë filluar punimet për pjesën elektrike dhe sistemet e ngrohjes dhe ftohjes.
“Punimet po ecin me ritëm të përshpejtuar dhe aktualisht po kryhet ndarja e klasave me gips. Jemi gati një muaj e pak ditë nga mbarimi i punimeve për rindërtimin e shkollës. Në katin e dytë të objektit ka filluar përgatitja për shtrimin e pllakave dhe kanë përfunduar sistemet hidrike”, – tha inxhinieri.
Ministri Ahmetaj u shpreh se “ky objekt arsimor me standardet më të mira i pajisur me të gjitha ambientet e nevojshme arsimore, palestër, qendër multifunksionale i vjen në shërbim fëmijëve të 10 mijë banorëve të zonës së Sukthit”.
“Nga 143 objektet arsimore, 37 po bëhen nga FSHZH, 19 të tjera nga bashkia e Tiranës dhe pjesa tjetër po ndërtohet me mbështetjen e donatorëve. Rindërtimi është një nga aksionet kryesore të kësaj qeveria dhe të Kryeministrit Rama. Nuk është një aksion, rindërtimi apo operacion financiar, apo koordinimi mes institucioneve vendase dhe të huajve, por është një aksion shpirtëror për të mos pushuar asnjë ditë deri sa nxënësit të kthehen në shkollat e tyre të ndërtuara më të mira e të forta dhe qytetarët të rikthehen në shtëpitë e tyre të ndërtuar më të mira dhe të forta”, – deklaroi Ahmetaj. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.