Hapja e shkollave/ Daja: Infektime sporadike, situata në monitorim të vazhdueshëm

TIRANË, 6 tetor /ATSH – I. Vata/ Epidemiologia pranë Institutit të Shëndetit Publik, Rovena Daja u shpreh sot se me hapjen e shkollave, rastet e infektimeve janë sporadike.

Ajo tha se sipas të dhënave të ISHP-së, numri i testimeve ka qenë i lartë, madje është rritur, por numri i rasteve pozitive nuk është rritur. “Kemi pasur raste pozitive në mësues dhe nxënës, por kanë qenë sporadike dhe fatmirësisht nuk kanë çuar në mbylljen e klasave apo të shkollave”, u shpreh ajo.

“Shpresoj që situata të jetë e mirë dhe procesi të ecë normalisht. Megjithatë ne jemi në monitorim të vazhdueshëm. Monitorohen shkollat, klasat, nxënësit, numri i rasteve në mënyrë që ta kemi situatën nën kontroll”, tha Daja.

Në lidhje me pyetjen se a ka pasur raste në mosha më të reja me hapjen e shkollave, Daja tha nuk ka pasur ndikim. “Të gjithë mund të preken nga COVID-19 dhe mosha mesatare vazhdon të jetë 47 vjeç e të prekurve në Shqipëri”, theksoi ajo.

“Numri i testimeve është rritur, por rastet pozitive nuk kanë ndonjë luhatje të madhe, jemi pothuajse në të njëjta shifra të të gjitha ditëve. Megjithatë, koha po ftohet dhe në të gjitha vendet e Europës numri i të infektuarve është rritur. Edhe ne duke parë këtë situatë, presim që në të ardhmen ndoshta dhe në Shqipëri numri i të infektuarve mund të rritet, por do e shohim në vazhdim”, u shpreh ajo.

Në lidhje me një plan për situatën e vjeshtës dhe të dimrit, Daja tha se “kapacitet e ISHP-së janë dhe mund të bëjmë edhe më shumë testime, por normalisht bëhen testime për personat që janë me shenja klinike apo janë në kontakt me persona pozitivë, ndërsa për personat që rrugëtojnë jashtë shtetit bëhen në institucionet private. Kapacitetet janë për të bërë më shumë testime”. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.