Dëmtimet nga tërmeti/ Rimëkëmben 15 biznese të vogla

“In-Motion”, mbështet ringritjen e bizneseve të vogla pas dëmtimeve nga tërmeti

TIRANË, 6 tetor /ATSH/ 15 mikrobiznese në bashkinë Durrës, të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, kanë përfituar nga programi pilot i qeverisë në bashkëpunim me PNUD “In-Motion”, veçanërisht në aspektin e rimëkëmbjes së jetesës dhe riaktivizimit ekonomik.

PNUD bën të ditur se, 47% e përfituesve janë femra dhe 53% meshkuj. Bizneset kanë përmirësuar imazhin tregtar, ndërsa të ardhurat e tyre janë rritur me 10%.

40% e bizneseve bëjnë pjesë në sektorin e parukerisë, 33% në sektorin e shitjes së ushqimeve të parapërgatitura, 20% në riparimin e pajisjeve elektrike dhe 7% janë mikrobiznese të ndryshme.
Pronarë dhe punëtorë kanë aplikuar njohuritë e përfituara pas 15 orësh trajnim në grup dhe 300 orësh këshillimi teknik. Falë mbështetjes së programit, ata kanë zëvendësuar të gjitha pajisjet e dëmtuara nga tërmeti.
Krahas Programit të Rindërtimit, pas tërmetit të 26 nëntorit, institucionet e linjës po punojnë për mbështetjen e rimëkëmbjes së bizneseve të vogla, që u dëmtuan nga kjo fatkeqësi natyrore.
Metodologjia “In-Motion” synon të stabilizojë jetesën dhe të përmirësojë kushtet socio-ekonomike të mikrobizneseve më të prekura nga tërmeti dhe është testuar me sukses në vende të tjera që janë goditur nga katastrofa natyrore. /a.a//r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.