“Qytetari voton kandidatin që do”/ Ndryshimet kushtetuese, pjesë e kompromisit për hapjen e listave

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri u shpreh për ndryshimet e Kodit Zgjedhor se, “marrëveshja e 5 qershorit nuk është prekur. Në marrëveshjen e 5 qershorit u adresuan të gjitha kërkesat e opozitës madje u mënjanuan rekomandimet prioritare të ODIHR, vetëm e vetëm që të adresoheshin propozimet e opozitës për të patur besimin e opozitës në zgjedhje”.

Në një intervistë televizive Gjiknuri tha se, “nga ana tjetër në ndryshimin e Kushtetutës ndryshuan dy gjëra të rëndësishme, e para hapja e listave, së dyti ndryshimet kushtetuese diktuan një formulë tjetër koalicioni sepse në momentin që hapem listat do të mbylleshin partitë. Sepse çfarë ishte sistemi i mëparshëm ishte thjeshtë taktikë elektorale, pra listat ishin të mbyllura dhe partitë ishin të hapura brenda koalicionit”.

Gjiknuri tha “ndryshimet në Kodin Zgjedhor u miratuan sot në Parlament nga një shumicë e cilësuar. Ne i miratuan ndryshimet kushtetuese sepse nuk mund të çonim vendin në krizë politike. Ne nuk do prisnim pafund opozitën”.

“U arrit një marrëveshje që i leverdiste edhe një pjese të opozitës parlamentare. Sepse është bërë një kompromis për sa i takon çështjes së pragut zgjedhor me 1% që i leverdis partive të vogla, për kundër nivelit që ka qenë 2.5% – apo edhe 3% më përpara dhe së dyti i’u plotësua edhe një kërkesë që kryetarët e partive të vogla mund të kandidojnë deri në 4 zona zgjedhore dhe kjo rrit konkurrencën në spektrin opozitar”, theksoi Gjiknuri.

“Në një ligj elektoral jo të gjitha palët bien dakord. Ne mendojmë si parti e madhe, që hapja që kemi bërë ne që reflekton edhe mënyrën sesi votohet një votë për partinë një votë për individin është qasja e duhur për demokracinë shqiptare”- tha Gjiknuri.

Mbi hapjen e listave Gjiknuri u shpreh se, “Kushtetuta u ndryshua si pjesë e kompromisit me opozitën parlamentare për të hapur listat, ku të gjitha palët e Këshillit Politik u shprehën dakord.  U vendos parimi për hapjen e listave, që u respektua dhe që do të thotë e drejta e çdo qytetari për të hedhur një votë për kandidatin që do”.

/a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.