Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Spiropali: Opozita braktis institucionet dhe tenton t’i marrë peng përmes mekanizmave ekstraligjorë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin dhe Zëdhënëse e qeverisë, Elisa Spiropali, theksoi sot se “në përmbyllje të procesit, të cilin do e votojmë sot përmes transfuzionit të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor ne duhet t’i japim fund njëherë e mirë në Republikën e Shqipërisë krijimit të tryezave apo komisioneve, apo këshillave politikë që nuk bëjnë gjë tjetër vetëm mundohen të mbajnë në këmbë kryetarët dhe partitë  në kurriz të qytetarëve dhe sovranitetit të tyre”.

Në fjalën e saj në Kuvend, Spiropali tha se “kjo duhet të jetë e para dhe e fundit herë që ne diskutojmë në tryeza të tilla. Por gjatë tranzicionit shqiptar, që u përmend këtu edhe nga deputetja Rudina Hajdari, nuk kanë munguar pazare të tilla në kurriz të institucioneve. E kanë bërë shprehi ata, sa herë që duan të përfitojnë diçka nga sistemi shantazhojnë me protesta, dhunë e molotov”.

“Në këto katër vite që në krye kur u ngrit komisioni për Reformën Zgjedhore ne jemi përballur me këtë sjellje fëmijërore të opozitës jashtëparlamentare aspak etike dhe penguese, që nuk ka asnjë lidhje me procesin që duhet të ishte i shkurtër dhe normal mbi rënien dakord mbi rregullat e lojës për një kod zgjedhor”, – theksoi Spiropali.

Ne, vijoi ministrja, këtu po përjetojmë dhe pasojat e atij vendimi ekstrem që mori opozita për të dalë nga ky Kuvend, përgjegjësia është e tyre, por tani fajin duan të na e lënë ne.

“Çfarë faji kemi ne që një opozitë vendos të braktisë institucionet dhe më pas t’i marrë peng ato përmes mekanizmave të tjerë ekstraligjorë”, – shtoi Spiropali.

Duke iu përgjigjur deputetes Rudina Hajdari, e cila bllokoi foltoren e Kuvendit, Spiropali tha se “se sa më fortë të bërtasësh aq më pak dëgjohesh. Sa më shumë të godasësh foltoren aq më pak godet me fjalë dhe argumente. Po diskutojmë sikur jemi në një proces demokratik. Të tillë sjellje ta kishim lënë pas me ata që e lanë këtë Kuvend”./k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.