Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Gjiknuri: Pritëm me muaj të tërë modelin e opozitës, partitë apo koalicionet do të garojnë me të njëjtin standard

TIRANË, 5 tetor /ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri deklaroi sot se ndryshimet e Kodit Zgjedhor janë akti final që bën të mundur jetësimin e dispozitave kushtetuese që miratuam në fund të korrikut.

“Arritëm një objektiv të madh, historik, falë edhe presionit që erdhi nga shumë aktorë parlamentarë në këtë sallë, përtej skepticizmit të shumë njerëzve për hapjen e listave dhe dhënien e mundësisë të çdo qytetari shqiptar, që përveç partisë politike të votojë edhe për emrin e listës në partinë e tij”, tha ai.

Në fakt tha Gjiknuri, “kjo është një arritje e madhe që natyrshëm u diktua nga ndryshimet kushtetuese. Natyrshëm hapja e listave të partive politike solli dhe do të sillte me patjetër dhe ndryshimin e mënyrës sesi rreshtoheshin subjektet zgjedhore. Këtu e kam fjalën për koalicionet parazgjedhore”.

“Pra, ne hapëm listat e partive, por mbyllëm hapjen e partive brenda një subjekti zgjedhor siç ka qenë sistemi arkaik deri tashmë që Kushtetuta e Shqipërisë e ndryshoi dhe përfundimisht jemi përpara një standardi të ri”, tha Gjiknuri.

Gjiknuri tha se mazhoranca i ka bërë një sfidë publike opozitës: “Na gjeni një sistem proporcional rajonal me lista të hapura, i cili ka këtë formë koalicioni siç kërkonte opozita. Me muaj të tërë pritëm, por padashje dje dolën me një model, i cili nuk është fare i ngjashëm me Shqipërinë, dhe vetëm e vetëm për të larë duart si Ponc Pilati, për të shkelur syrin, e për të thënë që ne bëmë përpjekjen tonë, por realisht model të tillë nuk ka”.

Prandaj u shpreh Gjiknuri, “fryma e Kushtetutës përcaktoi që partitë apo koalicionet do të garojnë me të njëjtin standard”.

“Do të thotë me një listë të përbashkët, të cilën e kompozojnë siç e duan vetë. Por jo me formën që futeshin dhe parti të tjera të vogla edhe me lista të tyre, të cilat kërkonin deformim të rezultatit zgjedhor. Nëse është barazi gara subjektet garojnë njësoj. Kjo është lista e partisë time. Kjo është lista e partisë apo koalicionit tënd. Kjo është barazia e garës. Çdo gjë tjetër është taktikë elektorale për të përfituar dhe për të devijuar vullnetin e zgjedhësve shqiptarë”, u shpreh Gjiknuri.

Gjiknuri foli edhe për pretendimin tjetër që ngrihet, nëse është hapja e listave në përputhje me Kushtetutën dhe a është hapja reale.

“Kushtetuta e Shqipërisë, lexojeni me vëmendje, thotë zgjedhësi voton për parti politike dhe për individë në listë. Pse e thotë këtë? Sepse thotë listat paraqiten nga partitë politike. Pra janë partitë politike si institucione të rëndësishme të demokracisë. Se vërtet mund të mos i pëlqejmë partitë politike ne,  mund të shkojmë në një parti tjetër. Por demokracia nuk njeh formë tjetër të organizimit të jetës politike përveç partive politike. Ndryshe do të shkonim në një situatë para politike, ku kaosi do ta nënshtronte këtë vend”, u shpreh Gjiknuri.

“Partitë politike janë institucione të rëndësishme që garojnë me listë. Ama elektorati për herë të parë ka një mundësi, që me votën e tij të ndryshojë renditjen që japin partitë dhe kjo është vota preferenciale. Kushtetuta e Shqipërisë thotë, jo më pak se 2/3 kandidatët i nënshtrohen votimit parapëlqyes. Ne e kaluam 3/3, 100%, përtej minimumit që vendosi Kushtetuta. Do të thotë ky është një veprim i guximshëm që i jep mundësi çdo qytetari që me votën e tij të ndryshojë renditjen e partive politike. Sepse zgjedhësi do të ketë dy zgjedhje, jo një zgjedhje siç e thonë disa këtu. Zgjedhësi voton për ekipin, voton dhe për individin”, u shpreh ai.

“Përse vihet ky prag, pse vihet herësi? Pragu është i nevojshëm për të hequr çdo lloj anomalie në zgjedhje, por mbi të gjitha për të nxjerrë vërtet kandidatët që kanë peshë. Pse është e rëndësishme? Nga tradita edhe ndërkombëtare, kur kemi të bëjmë me dy zgjedhje votimesh pjesa më e madhe e njerëzve zgjedhin ekipin sepse në një listë ai mund të pëlqejë edhe Edi Ramën, edhe Damian Gjiknurin, edhe X-in, edhe Y-in. Si do ta detyrojmë ne në mënyrë arbitrare zgjedhësin t’i themi ‘ty të pëlqejnë tre po t’i duhet të zgjedhësh një? Ne i themi voto ekipin dhe nëse s’je dakord me ekipin voto një individ që pëlqen më shumë. Kjo është zgjedhja. Kjo është parimi i balancës dhe stabilitetit të listës së partive politike. Por nga ana tjetër dhe mundësisë që i jepet zgjedhësit për ta korrigjuar atë”, theksoi Gjiknuri.

Gjiknuri shtoi se, “vënia e pragut kombëtar 1% për mua i jep shans çdo partie reale, jo partie në letër që gjallonin si ato cironkat brenda një tufe të madhe peshqish në sistemin e vjetër të koalicioneve. Pra nja parti mjafton të regjistronte emrin aty dhe pretendonte të ekzistonte në jetën politike falë sistemit të planktonit që partitë e mëdha krijonin për t’u ushqyer vetë. Jo s’ka më. Një parti që nuk merr 1% të votave nuk meriton as financim publik, as përfaqësim”.

/gj.mima/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.