Kryeprokurori Çela në Prokurorinë e Elbasanit: Efikasitet në hetimin e veprave penale

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela nisi një tur vizitash në 7 prokuroritë kryesore pranë gjykatave të rretheve gjyqësore të vendit, ku janë krijuar seksionet e posaçme në luftën kundër pastrimit të parave, financimit të terrorizmit, krimeve financiare dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale.

Në vizitën e tij të parë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Elbasanit, Prokurori i Përgjithshëm inkurajoi dhe nxiti prokurorët që janë pjesë e këtyre seksioneve të angazhohen me vendosmëri dhe përgjegjshmëri në hetimet që lidhen me krimet në fushën e tatimeve, doganave, pastrimin e produkteve të veprës penale, financimin e terrorizmit, dhe sekuestrimin e konfiskimin e aseteve kriminale, duke garantuar efikasitet në hetimin dhe gjykimin e këtyre veprave penale si dhe goditjen e pasurive të vëna në mënyrë të paligjshme, një problem mjaft shqetësues për vendin.

Prokurori i Përgjithshëm gjatë takimit më strukturat e prokurorisë së rrethit gjyqësor Elbanan u ndal në situatën shqetësuese të kriminalitetit në këtë qytet, duke ofruar mbështetjen maksimale nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme për të rritur efikasitetin në hetimin e veprave penale.

Ai kërkoi koordinim më të mirë të punës mes Prokurorisë, strukturave të Policisë së Shtetit dhe agjencive të tjera ligjzbatuese për të dhënë rezultate konkrete në goditjen ndaj kriminalitetit.

Rezultatet që mund të arrijnë këto prokurori, do të sjellin edhe elementë shumë të rëndësishëm, të cilat më pas mund të jenë edhe pjesë e punës së Prokurorisë së Posaçme.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.