Kodi i ri Zgjedhor/ Partia Socialiste hapi listat 100%

TIRANË, 5 tetor /ATSH – I. Vata/ “Partia Socialiste hapi listat 100%”, tha sot nënkryetarja e Kuvendit Vasilika Hysi gjatë një interviste televizive, ndërsa theksoi se i vinte keq që nuk u arrit të kemi një administratë zgjedhore të depolitizuar.

Në lidhje me votimin në Kuvend sot për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, Hysi tha se, “ato lidhen me ndryshimet kushtetuese. Pra përderisa Kuvendi bëri ndryshime në Kushtetutën e Shqipërisë lidhur me hapjen e listave, pa dyshim që ky ndryshim kushtetues do reflektohej në Kodin Zgjedhor, pra është detyrim ligjor i Parlamentit që ligjet të jenë në përputhje me Kushtetutën”.

“Lidhur me përmbajtjen e ndryshimeve, a duhet të jenë këto ato që ne presim? Pa dyshim ne kemi thënë, dhe vetë kryeministri Rama e ka thënë, dhe unë e theksoj se këto nuk janë ato ndryshime dhe modeli më i mirë që duhet. Po e nis me marrëveshjen e 5 qershorit, sepse Reforma Zgjedhore ka pasur si objektiv reflektimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe rekomandimet adresojnë çështje shumë të rëndësishme për zgjedhjet, duke filluar që nga depolitizimi i administratës, duke filluar nga KQZ, te niveli i qendrës së votimit dhe një sërë problematikash që lidhen me financimin e partive politike, me fushata e me radhë. Më vjen keq që ne nuk arritëm të kemi një administratë zgjedhore të depolitizuar. Pra kam votuar një element të Reformës Zgjedhore për të cilën unë dhe të gjithë PS kemi qenë kundër, por për hir të kompromiseve, sepse në politikë bëhen kompromise dhe meqë kjo ka ardhur si kërkesë nga opozita jashtëparlamentare ne e votuam atë, por ky nuk është modeli më i mirë”, tha ajo.

Në vijim, Hysi tha se “hapja e listave 100% është një kërkesë që e ka kërkuar publiku. Ne në parlament kur bëmë ndryshimet kushtetuese thamë jo më pak se 2/3, pra çdo parti politike ka të drejtën që listat të hapen 100%. Këtë bëri Partia Socialiste, hapëm listat 100%, ku nga i pari i listës deri tek i fundit në çdo zonë zgjedhore votimi është me votë parapëlqyese të zgjedhësit”.

“Ky nuk është modeli më i mirë por, sikurse thamë, ne ishim gati për një Kod Zgjedhor të ri, por u shty për shkak se opozita, PD-LSI nuk pranuan të kishim administratë zgjedhore të depolitizuar, por e lanë për zgjedhjet e 2025, për rrjedhojë nuk ia vlente të kishim Kodin e ri Zgjedhor me një administratë që vijon të jetë e politizuar”, tha Hysi. /a.a//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.