Koalicionet ruhen/ Unë nuk jam udhëheqës i Partisë Socialiste për të ushqyer partitë e vogla

TIRANË, 5 tetor/ATSH-Maela Marini/ “Asnjë parti e vogël në historinë e pluralizmit nuk ka sjellë ndonjë gjë të mirë për Shqipërinë”, u shpreh sot në Kuvend, Kryeministri Edi Rama.

Nga foltorja e Kuvendit, Rama tha se “Shqipëria ka nevojë për të gjithë pa diskutim, por as nuk është sekret apo diçka për të cilën kam heshtur ndonjëherë, se unë nuk jam udhëheqës i Partisë Socialiste për të ushqyer partitë e vogla”.

“Partitë e vogla janë grupe shantazhierësh, grupe interesi që krijohen ‘Kap çfarë të kapësh’. Janë ato që kanë shqyer më shumë se të mëdhatë, PS dhe PD, plaçkën e shtetit. Janë parti pengmarrësish që vijnë në parlament për të kapur një ministri e për ta bërë ministrinë degë të thesarit të atij që ka vulën, jo të partisë se nuk kanë parti. Kjo është e vërteta”, shtoi Rama.

Por fakti se kanë qenë të tilla deri më sot, sipas Ramës, “nuk do të thotë që as të pengohen, as të mos jenë ndryshe nesër, por kjo është bindja ime”.

“Ju doni Ilir Metën, që të grumbullojë njerëz rrugës pa pyetur fare se çfarë mund të bëjnë për popullin shqiptar e Shqipërinë dhe t’u thotë: bleji, kapi, mblidhi, silli dhe pastaj të vijë kush të vijë për të bërë të njëjtën gjë”, shtoi Rama, duke iu drejtuar deputetëve të opozitës në sallë.

“Koalicionet nuk do t’i heqim, por do t’i qytetërojmë. Nuk mund të jenë kope speciesh të ndryshme nga drejtime të ndryshme nga pylli e mblidhen te kryqëzimi, bashkim forcash me një logo. Koalicion si tren ku çdo vagon thotë ‘hyp te unë se të çoj në drejtim tjetër’, ‘Kap ça të kapësh’, ‘turru kë të kapësh'”, tha Rama.

/j.p//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.