Bylykbashi: Sistemi zgjedhor italian funksionon me koalicione të përbëra dhe lista të hapura

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Demokratike në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi deklaroi sot se Italia është vendi ku përdoret koalicioni me listë të përbërë siç e ka Shqipëria.

“Është Italia, vendi që e përdor aktualisht për zgjedhje për parlamentin kombëtar, për parlamentet rajonale si Lombardia, Lazio, Puglia, Sicilia, etj, ku votojnë më shumë zgjedhës, seç ka banorë Shqipëria, por e përdor edhe për këshillat bashkiake të Romës, Milanos, Bolonjës, Firencës, etj, ku votojnë më shumë zgjedhës seç votojnë në Shqipëri. Italia është vendi i madh europian nga ku e kemi marrë këtë model të mirënjohur, me konsensus PS-PD që në vitin 2003”, deklaroi Bylykbashi.

Kur gënjyen se koalicioni me listë të përbërë nuk përdoret dot me listat e hapura, tha Bylykbashi, ia provuam publikisht që gënjejnë.

“Italia i zgjedh “parlamentet” lokale të Romës, Milanos, Bolonjës apo Firences me votim proporcional me lista të hapura, ku zgjedhësi ka të drejtë të votojë dy kandidatë nga lista e partisë së koalicionit. Partitë italiane në këto zgjedhje parlamentesh lokale lidhen në koalicion njësoj si në Shqipëri, por ruajnë identitetin duke garuar secila me listën e vet të hapur të kandidatëve”, shpjegoi Bylykbashi.

Zgjedhësit italiane, theksoi ai, kanë të drejtë të zgjedhin kandidatin që duan tek lista e partisë së koalicionit.

“Thanë që me koalicionin siç e kemi ne, me listë të përbërë, fleta e votimit bëhet shumë e komplikuar. Por ja që Italia e ka zgjidhur. Zgjidhjen me një fletë të thjeshtë votimi e kemi demonstruar edhe në prej disa muajsh”, vuri në dukje ai.

Sipas Bylykbashit, sisteme demokratike në Europë ka plot, por nuk ka sistem që ta shpëtojë Ramën nga humbja e thellë që e pret./a.gjonaj/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.