Vermoshi me qendër të re turistike/ Rilindja e një godine të shkatërruar në funksion të nxitjes së turizmit malor

TIRANË, 4 tetor/ATSH/ Turizmi malor është një nga prioritetet e sektorit pasi Shqipëria ofron turizëm gjithëvjetor, me ndikim në ekonomi por edhe nxitje për zhvillimin e zonave rurale.

Për ta bërë më të lehtë aksesin në këto zona përmes Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Qeveria ka financuar ngritjen e Qendrave turistike.

Kryeministri Edi Rama zgjodhi të urojë një të diel të bukur me pamje nga qendra turistike e Vermoshit.

“Mirëmëngjes, me qendrën e re turistike të Vermoshit, që pas asaj të Valbonës është e dyta në zinxhirin e ri të bujtinave të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, për të nxitur më tej zhvillimin e turizmit malor, duke rilindur në këtë rast godina të shkatërruara shtetërore të kohës së komunizmit, ju uroj një të dielë të bukur”, u shpreh Rama.

Vermoshi gjendet në një distancë prej gati 100 km nga qyteti i Shkodrës në një lartësi prej 1100 metra mbi nivelin e detit. Është fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë./a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.