Shkodra akses në Korridorin Blu/ Përfundon shtrimi i segmentit Shëngjin- Velipojë

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Së shpejti hapet rruga e re Shëngjin – Velipojë dhe gara ndërkombëtare për aksin Milot – Muriqanin, që e bën Shkodrën pjesë të aksesit në Korridorin Blu.

Kryeministri Edi Rama, publikoi sot pamje nga përfundimi i punimeve të rehabilitimit të plotë të rrugës së re Shëngjin–Velipojë, një aks strategjik i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit, që është një tjetër vepër e infrastrukturës kombëtare e ndërtuar sipas standardeve më të mira.

“Ja ku përfundoi edhe shtrimi i segmentit të mbetur nga rruga e re e Velipojës, ku pritëm një vit e kusur bashkinë e Shkodrës të plotësonte dokumentet e shpronësimeve dhe hëngra edhe baltën e sharjeve e akuzave këtu, që vodhëm rrugën meqenëse nuk e mbaronim dot nga halli i Molotanës”, u shpreh Rama.

Rama thekson se punimet janë fazën e fundit të vendosjes së sinjalistikës dhe ky investim është gati në shërbim të qytetarëve.

“Tani sistemimet e fundit, sinjalistika dhe ta gëzojnë shkodranët këtë rrugë turistike që u erdhi rruga kah s’e pritën, pasi votuan 30 vjet ata që i lanë pa rrugë. Së shpejti hapim Shëngjin – Velipojën dhe garën ndërkombëtare për Milot – Muriqanin, që e bën Shkodrën pjesë të aksesit në Korridorin Blu”, tha Rama.

Rruga Shëngjin-Velipojë, është ndërtuar sipas standardeve më të mira duke mundësuar akses më të shpejtë dhe të sigurt jo vetëm për qarkullim e mjeteve por me impakt edhe në ekonomi.

z.tosku//a.a/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.