“Mbramë shtroi darkë ai djaloshi që e don Tironën”, Çun Lajçi-Veliajt: Fillo me themelin e teatrit

TIRANË, 3 tetor /ATSH/ Aktori i njohur Çun Lajçi i ka kërkuar kryebashkiakut Erion Veliaj që të nisë sa më shpejt me themelet e teatrit të ri. Në një darkë miqësore të shtruar dje në mbrëmje siç thotë Lajçi nga “ai djaloshi që e don Tironën n’mënyrën e vet e hap kantiere pune pa fund”, u diskutua gjer vonë për kulturën, por dhe për shtëpinë e re të artistëve.

“Ata prap zbrazën dolli për mua, t’lumtun që m’kan t’hareshëm n’tela e n’varg. Çuni asht mojkomi i fundit i tha Altin Basha kryebashkiakut. Shifej se e kishte t’vetin, t’krahut e t’mendjes! Asht vazhda e Farukut, Bekimit, Abdurrahmanit. Por ky shkoi edhe ma përtej. U shkri n’poezi, n’prozë, u ba kangë n’lahutë! Pastaj folem për Tinkën e filmit “Tana”. Për Naim Frashërin, jo t’filmit, po t’teatrit, t’shfaqjes “Vitit 61”, shprehet Lajçi.

“Folëm për Robert Ndrenikën, atë Bato Barmashin në “Moshën e Bardhë” t’marsit ’72!
Folëm për Arbanën që s’ndjehet mirë e për t’mëdhejt e teatrit, tani edhe pa teatrin.
N’paq gjak arbëri n’dej, mos e zgjat po fillo me themelin e teatrit, se s’pushojnë gjamët e drrasave n’skenë, i thashë kryebashkiakut, që nuk e pata të qartë; shtroi darkë për mua apo për atë shitësin e librave me vathin e qenit n’vesh? Rri me popullin, se zyret t’vetmojnë. Shikoje vetën n’sytë e tyne, se bahesh i madhë e kthehesh n’thjeshtësi!
Ndoshta m’ka kuptua se dashunisht i thashë si Leartit tim, e sytë i bani kokërr. Mbramë hija e Dervish Shaqës e kaloi Lanën dhe erdhi n’Hotel Tirana”, tha Lajçi.

“E kam vendin mes këtyne artistëve, o Erion Veliaj, se kangë e lot m’shkoi jeta. N’çufrrat për rreth Muzeut e dua edhe unë bustin tim! Unë ia kuptova mëllefin, ndaj ia dridha telat sharkisë e ai tha “E lash borë e gjeta dimën”! Unë veç e plotësova: Po mundohen do burra me ba verë, tue u takua n’Shkup e n’Shkodër! Për juve që jeni ba merak se a kam pasë me hangër mbramë, po iu them: Për kopilin me plisin e bardhë n’krye, që mbledhë rrugëve bastardë me kuferin e thyem, mbramë shtroi darkë i pari i Tiranës, ai djaloshi që e don Tironën n’mënyrën e vet e hap kantiere pune pa fund!”, përfundoi Lajçi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.