Italia dhuron 5 automjete për shërbimin zjarrfikës të Durrësit/ Sako: Çon në nivel tjetër Emergjencat Civile

TIRANË, 3 tetor/ATSH-A. Fortuzi/- 5 automjete si dhe pajisje logjistike i janë shtuar shërbimit zjarrfikës të Durrësit.

Këto automjete që janë 3 zjarrfikëse dhe 2 automjete shërbimi si dhe uniforma e këpucë sigurie dhe pajisje kundër zjarrit i janë dhuruar Durrësit nga Njësia Kombëtare e Zjarrfikësve të Italisë në bazë të Marrëveshjes Kuadër të Bashkëpunimit Ndërkombëtar për Shkëmbimin e Ndërsjellët të Bashkëpunimeve në fushën e Veprimtarive Logjistike përsa u përket Operacioneve Publike të Shpëtimit, e nënshkruar mes Njësisë Kombëtare të Zjarrfikësve italianë, Bashkisë së Durrësit dhe Prefekturës së Durrësit.

Këto mjete i janë dorëzuar shërbimit zjarrfikës të Durrësit në port ku është zhvilluar një ceremoni në të cilën merrnin pjesë  kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako, ambasadori i Italisë, Fabrizio Bucci, prefekti Roland Nasto, deputetja Klodiana Spahiu, drejtori i shërbimit zjarrfikës të Durrësit komisar zjarrfikës Adriatik Velaj etj.

Në fjalën e saj kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako shprehu mirënjohjen dhe falenderoi palën italiane jo vetëm për këtë dhuratë por edhe ndihmën e madhe që kanë dhënë zjarrfikësit dhe ekspertët italianë gjatë tërmetit të Nëntorit:

“Është  kënaqësi të mirëpres dhe t’ju falenderoj në emër të qytetarëvë të bashkisë që drejtoj për këtë dhuratë të rradhës nga shteti italian. Në ditët e vështira të tërmetit, 174 zjarrfikës italianë na u bashkuan për të përballuar së bashku ato ditë të tmerrshme të asaj fatkeqësie e po ashtu edhe një numër i madh ekspertësh italianë na ndihmuan me ekspertizat teknike. Tani sërish miqtë tanë italianë na ndihmojnë për të rritur sigurinë e qytetarëve ndaj fatkeqësive natyrore,- thekson Sako.

“Zjarrëfikësit janë ata që rrezikojnë jetën e tyre për të shpëtuar jetën e të tjerëve ndaj meritojnë me të drejtë më shumë vlerësim, mbështetje, mjete dhe kushte të mira. Pak kohë më parë një flamur Italian mbulonte fasadën e bashkisë së Durrësit, në shenjë solidariteti me situatën e rëndë që Italia kalonte nga Covid 19. Në të shkruhej “Durazzo ama Italia”  E po ashtu muaj më parë ju kishim këtu teksa vuanim dëmet e tërmetit të 26 nëntorit, në krahun tonë për të na ndihmuar. Popujt tanë e kanë dëshmuar ndër vite miqësinë, mbështetjen, solidaritetin, humanizmin dhe mirënjohjen ndaj njëri tjetrit! Sot ju themi sërish Faleminderit.”,- shton ajo.

Ambasadori Fabrizio Bucci, me rastin e ceremonisë së dhurimit, deklaroi: “Kjo është dëshmia më konkrete e më të qartë se sa të afërta janë dy Vendet tona, një gjest ku që tregon vetëm një pjesë të vogël të angazhimit Italian ndaj qytetit të Durrësit. Pasi qenë të parët që mbërritën në vend për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve pas tërmetit që goditi qytetin nëntorin e vitit të kaluar, dëshirojmë të tregojmë në vazhdim afërsinë tonë. Këto pajisje të cilat dhurohen sot janë pjesë e një marrëveshjeje kuadër më të gjerë midis zjarrfikësve italianë dhe atyre shqiptarë e cila – ndër të tjera – parashikon edhe një proces formimi dhe shkëmbimi përvojash e informacionesh”, u shpreh Bucci.

Ndërsa prefekti i Durrësit Roland Nasto solli edhe një herë në vëmendje miqësinë e ngushtë mes dy popujve tanë që del në pah në ditë të mira e të vështira. “Shpreh kënaqësinë dhe mirënjohjen për këtë dhuratë të çmuar dhe shumë kuptimplotë për ne. Populli vëlla i Italisë, vendi mik italian, është mbështetësi dhe partneri ynë strategjik në të gjitha fushat e zhvillimit tonë. Unë shpreh mirënjohjen timë për të gjithë ata zjarrfikës italianë që na u gjendën pranë në ditët e tërmetit dhe shpëtuan jetë njerëzish nga rrënojat e po kështu shpreh mirënjohjen time ndaj shtetit italian edhe sot për këtë dhuratë që i bën qytetit tonë”,- theksoi Nasto.

Angazhimi i Njësisë Kombëtare të Zjarrfikësve italianë, i cili qe pjesë përbërëse e misionit të shpëtimit pas tërmetit që goditi territorin shqiptar më 26 nëntor të vitit të kaluar, ka bërë të mundur forcimin e lidhjes me autoritetet homologe shqiptare. Përveç dhurimit të automjeteve dhe pajisjeve logjistike ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen duke kontribuar në rritjen e standardeve të emergjencave civile të Durrësit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.