Dita e Bashkimit të Gjermanisë/ Meta uron Steinmeier: Mirënjohje për kontributin në hapjen e negociatave me BE

TIRANË, 3 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta uroi sot homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier, me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.

“Në këtë jubile të rëndësishëm të 30-vjetorit të bashkimit të Gjermanisë, kam kënaqësinë e veçantë të vlerësoj bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston ndërmjet dy vendeve tona, si dhe ndjenjat e thella të miqësisë ndërmjet dy popujve tanë”, u shpreh Meta, në një mesazh drejtuar Steinmeier .

Presidenti shprehu mirënjohjen e thellë për qasjen strategjike të Gjermanisë në mbështetje të zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe kontributin e saj thelbësor në vendimin politik të këtij viti të Këshillit Europian për të hapur negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë.

Sipas tij, “mbështetja e drejtpërdrejtë dhe e sinqertë e Gjermanisë mike është mirëpritur nga mbarë populli shqiptar”.

Meta siguroi për vullnetin e tij të palëkundur për të nxitur të gjithë aktorët institucionalë të vendit të vijojnë pandalur me reformat dhe plotësimin e kushteve që do të mundësojnë avancimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.