Letra e Trump/ Rama: I kënaqur për vlerësimin e tij për rolin tim dhe të kësaj qeverie

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ishte i kënaqur nga vlerësimi që presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump në letrën që i dërgoi një ditë më parë kishte shprehur për rolin e tij dhe qeverisë që ai drejton, qoftë në aspektin e rajonit, qoftë edhe në disa qëndrime që, sipas tij, janë bindje, nuk janë qëndrime oportuniste.

“Jam shumë i kënaqur që Presidenti i SHBA-së, në një kohë zgjedhjesh e 1001 sfidash e punësh për të bërë, ka gjetur edhe kohën që të më shkruajë mua. Jam shumë i kënaqur për vlerësimin e tij, për rolin tim dhe të kësaj qeverie, sepse flitet për rolin tim në drejtim të kësaj qeverie dhe jo për rolin tim si piktor, qoftë në aspektin e rajonit, qoftë edhe në disa qëndrime që janë bindje, nuk janë qëndrime oportuniste”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se SHBA, Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti i SHBA-së, kanë qenë dhe janë pikë referimi e palëvizshme për ne.

“Harmonia e plotë mes meje e Presidentit të SHBA, gjë për të cilën kemi folur edhe personalisht në rastin e takimit në Londër, në NATO mbi 5G, është bindje nga ana ime, nuk është imponim nga ana e tij, apo e SHBA-së. Letra ime për të gjithë drejtuesit e qeverive në rajon, kohë më parë, as nuk më është kërkuar, aq më pak imponuar nga Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Shtetit apo kushdo tjetër, është bindje”, deklaroi Kryeministri.

Ashtu sikurse, e vijoi fjalën Rama, është bindja ime se “Marrëveshja Abraham” është diçka e jashtëzakonshme për Lindjen e Mesme dhe për botën, gjë që e kam thënë në emër të qeverisë dhe Shqipërisë në këtë rast.

Rama u ndal edhe te marrëveshja e nënshkruar në Uashington mes Kosovës dhe Serbisë.

“Bashkohem me qëndrimin e kryeministrit Hoti, se në aspektin e përmbajtjes së Marrëveshjes së Uashingtonit, nga pikëpamja e angazhimeve të të dy palëve nuk ka asgjë të re, përveçse rikthimit të Kosovës në vendin që i takon në arenën ndërkombëtare, pas një periudhe absurde tërheqjeje me një barrikadë surreale lufte me imagjinatën, është edhe fakti që Izraeli njohu Kosovën”, tha Rama.

Më tej, ai u shpreh se vetëm për këtë sukses qeveria e Kosovës e kryeministri, në rastin më të keq duhet të kenë heshtjen e atyre që flasin e nuk dinë se çfarë flasin, e në rastin më të mirë, konsideratën më të lartë.

“Është thyerja e një barriere të paimagjinueshme, që të krijosh kushtet që Izraeli të njohë Kosovën. Natyrisht është meritë e Presidentit të SHBA, por edhe aftësia e qeverisë së Kosovës për të qenë në vendin e duhur, në kohën e duhur e për të hedhur hapin e duhur”, u shpreh Kryeministri.

Rama iu përgjigj edhe interesit të medies sa i përket ambasadës në Izrael.

“Ne kemi qartësisht qëndrime të përbashkëta, në drejtimet strategjike. Më vjen shumë mirë që në rastin tonë, burojnë nga bindja, jo nga imponime apo konjuktura dhe për sa i përket lëvizjeve konkrete, kjo është çështje e jona dhe si e tillë, ne i trajtojmë me shumë kujdes dhe i vendosim në momentin e duhur, në funksion të interesave strategjike të Shqipërisë, por asnjëherë duke harruar se ne jemi aleat strategjik të Shteteve të Bashkuara dhe aleat strategjik të Bashkimit Europian dhe në politikën e jashtme, ne jemi të linjëzuar me BE-në“, vuri në dukje Kryeministri.

Shqipëria deri tani, tha ai, që kur ka hyrë në proceset që lidhen me integrimin europian, mbetet i vetmi vend joanëtar i BE-së që nuk ka lëvizur në asnjë rast dhe kjo jo thjesht që kur jam unë kryeministër, por edhe më parë, nga vija e dakordësuar e BE-së në politikën e jashtme.

“Mund të vijë dita që ne të gjykojmë se mund të lëvizim, por kjo ditë nuk ka ardhur akoma”, deklaroi Rama./a.gjonaj/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.