“Shqipëria e vendosur në rrugën euroatlantike”/ Kryenegociatori Mazi, takime të nivelit të lartë në Holandë

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Kryenegociatori i Shqipërisë për negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian, Zef Mazi, zhvilloi një vizitë pune në Holandë, ku zhvilloi takim me drejtoren e përgjithshme, ministren për Europën, Anita van den Ende, në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Holandës.

Gjatë qëndrimit në Holandë Mazi zhvilloi takime me një numër parlamentarësh, përfaqësues të lartë të partive politike në parlamentin holandez, si dhe me akademikë dhe drejtues të think-tanke-ve më me ndikim në qarqet politike, qeverinë holandeze, mediet dhe opinionin publik në Holandë.

Një tjetër takim i rëndësishëm, njoftohet se ishte edhe ai me drejtorin ekzekutiv të Europolit me seli në Hagë.

Gjatë takimeve u shkëmbyen mendime dhe u informua pala holandeze mbi përparimin dhe arritjet konkrete të Shqipërisë që prej vendimit të Këshillit në mars 2020 që hapi negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë me BE.

Po ashtu u nënvizua angazhimi i plotë i qeverisë dhe i Shqipërisë për të vijuar pareshtur dhe me më shumë vendosmëri punën me rezultate në ecurinë e reformave. Këto do të çojnë në vendimin për mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare, brenda Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së.

Bazuar në arritjet konkrete dhe zbatimin e kërkesave të BE-së, Mazi kërkoi mbështetjen e Holandës për finalizimin e kuadrit negociues të Shqipërisë në Këshill dhe organizimin e Konferencës së parë Ndërqeveritare, menjëherë pas saj.

Kryenegociatori Mazi theksoi pandryshueshmërinë e kursit euroatlantik të Shqipërisë, duke vënë në dukje se objektivi madhor i anëtarësimit në BE është vendim strategjik dhe politik, prioritar që gëzon mbështetjen e gjerë të të gjithë spektrit të vendit.

Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor nga këndvështrimi gjeostrategjik, politik, ekonomik, moral dhe të qasjes “strikte dhe të drejtë”, për të siguruar kështu besueshmërinë dhe parashikueshmërinë e procesit të zgjerimit”./k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.