OKB – Katari financon 1,5 milionë dollarë ”Aleancën e Qytetërimeve”

NJU JORK, 1 tetor /ATSH/ – Shteti i Katarit mori pjesë në ministerialin e Grupit të Miqve të ”Aleancës së Qytetërimeve”, i cili funksionon në kuadër të OKB-së, thuhet në një njoftim për shtyp të ambasadës së Shtetit të Katarit në Tiranë.

Takimi u zhvillua në Nju Jork përmes video-konferencës në kuadër të Sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, nën titullin “Formimi i një bote më të mirë: ndërtimi i shoqërive kohezive dhe gjithëpërfshirëse në mjedisin e COVID-19″.

Në këtë takim Katari u përfaqësua nga ministri i Shtetit për Punët e Jashtme, Sulltan bin Saad Al Muraikhi.

Në fjalën e tij, ministri theksoi se pandemia e COVID-19 ka shkaktuar sfida të pashembullta në shumë fusha jetësore, por, pavarësisht kësaj, kjo përbën një mundësi për të rishikuar qasjen e mëparshme, si dhe për të përfituar e mësuar nga përvojat dhe gabimet.

Ai shpjegoi se gjatë kësaj faze të mbushur me ngjarje dhe sfida globale të paprecedenta, është e domosdoshme për Grupin e Miqve të ”Aleancës së Qytetërimeve” që të intensifikojë përpjekjet për t’i sjellë njerëzit, civilizimet dhe fetë më pranë njëri-tjetrit, veçanërisht në rrethanat e përhapjes së e frikës, keqinformimit dhe ndarjeve në rritje midis shoqërive.

Al Muraiki theksoi se shteti i tij e ka mbështetur pa kursim ”Aleancën e Qytetërimeve” që nga themelimi i saj në vitin 2005 dhe do të vazhdojë ta mbështesë, veçanërisht në këto rrethana të vështira.

Ai vuri në dukje se angazhimi i Katarit mishërohet më së miri në nënshkrimin e memorandumit të mirëkuptimit me ”Aleancën e Qytetërimeve” në dhjetorin e vitit të shkuar, sipas të cilit Katari do t’i ofrojë asaj 1,5 milionë dollarë për periudhën 2020-2022 si mbështetje për zbatimin e programeve dhe projekteve të saj./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.