Ndryshimet në Kodin Zgjedhor/ Gjiknuri: Sfidoj këdo të gjejë një vend europian ku koalicioni figuron siç e do PD-ja

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ Përfaqësuesi i Partisë Socialiste në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri deklaroi sot se “votat për të kaluar ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë, por ne do të ushtrojmë çdo lloj mundësie për të gjetur kompromis, qoftë me opozitën brenda edhe me atë jashtë Kuvendit. Në zgjedhje, qytetari voton për ekipin politik, por brenda ekipit politik ka të drejtë që me votën e tij ta ndryshojë këtë renditje”.

Në një intervistë televizive Gjiknuri sqaroi se “ka një listë me renditje që është preferencë e partisë. Nëse numri 7 merr numrin mesatar të votave për një mandat ai merr automatikisht mandatin, nëse kandidatët që janë të renditur më lart kanë numër më të vogël votash”.

I pyetur nëse një deputet i vendosur në listë më poshtë do ta spostonte të parin e listës, nëse merr më shumë vota se ai, Gjiknuri u shpreh se “kjo nuk ndodh në formulën e propozuar nga PS”.

“Kur kandidon me një sigël të një partie të madhe ke dhe përfitimin e siglës, një lloj bonusi që ta jep sigla që ti përfaqëson dhe që ti të prishësh renditjen dhe hierarkinë e asaj sigle natyrshëm do më tregosh që ke peshë votash. Vendet që kanë votim me alfabet kanë emra të shkruar, pra zgjedhësi shikon emrin, nuk shikon gogla dhe numra”, – nënvizoi Gjiknuri.

Sipas tij, vendet që kanë listë të lirë që quhet lista e lirë me emra janë pak, të tilla si Finlanda e Zvicra.

Lidhur me koalicionet, Gjiknuri theksoi se “nuk i lejon më kushtetuta koalicionet e përbëra të propozuara nga PD. Fryma e Kushtetutës e ndryshoi atë tip koalicioni. Më parë partitë ishin si një listë e hapur brenda koalicionit, ashtu funksiononin. Tani u hapën listat nuk mund të funksionojë më ai koalicion. Prandaj sfidoj këdo të gjejë një vend europian, qoftë  vendim më të prapambetur në hapësirën e OSBE-ODIHR dhe të thotë që koalicioni figuron siç e do PD-ja në regjimin e vjetër. Nuk kam gjetur asnjë. Partitë politike do kenë koalicionin e tyre, por me një listë”.

Lidhur me votimin e së hënës nëse mazhoranca do ta votojë propozimin siç është Gjiknuri tha se “ne kemi një diskutim me opozitën parlamentare, mund të bëjmë disa kompromise nesër”.

“Ne ju thamë gjeni një formulë të kompozimit të koalicionit në një ligj europian dhe hajde diskutojmë edhe për hapjen e listave dhe për koalicionet”, u shpreh Gjiknuri.

/k.s/j.p/

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.