“Koalicionet sipas praktikave europiane”/Gjiknuri: Të hapur për kompromis, jo diktim të konsensusi me kërkesa për zvarritje procesi

TIRANË, 1 tetor/ATSH/ “Oferta e mazhorancës është të pranojnë formulën e koalicioneve sipas shembujve të vendeve europiane me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura”, ka deklaruar sot në mbledhjen e Këshillit Politik, bashkëkryetari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri.

Duke iu drejtuar përfaqësuesve të opozitës në Këshill, Gjiknuri tha se “nuk mund të diktohet procesi i reformës nga kërkesat tuaja”.

“Në e-mail-in tuaj më shumë kërkoni sebep për të mos gjetur kompromis dhe kërkoni të imponoheni. Sipas jush kompromis është vetëm ajo që kërkoni ju”, iu drejtua Gjiknuri përfaqësuesve të opozitës në Këshill.

Ai tha se “propozimet tona janë të bazuara në praktikat europiane dhe nuk është se kemi bërë shpikje”.

Edhe sa i takon koalicioneve, Gjiknuri tha se “është pikërisht qëndrim i yni i bazuar në praktikat europiane”.

“Kërkesa juaj për ODIHR është për të zvarritur procesin dhe futur në krizë kushtetuese vendin. Unë jam i hapur për kompromis për çështjet e tjera nëse ju deklaroni se do të pranoni formatin e koalicioneve sipas shembujve europianë, shembuj që disa në fakt i keni dhënë dhe këtu. Nuk pranojmë të na diktohet konsensusi me kërkesa vetëm të njërës palë. Që të mbahet peng gjithçka vetëm nga formulimi për koalicionet, kjo është taktikë e juaja për të çuar në pengimin e zbatimit të Kushtetutës”, vijoi Gjiknuri.

Oferta jonë, vijoi ai, është të pranojmë formulën e koalicioneve sipas shembujve të vendeve europiane me sisteme proporcionale rajonale me lista të hapura. “Më pas për çështjen e listave dhe pragut, hajdeni të diskutojmë. Ne i qëndrojmë propozimit tonë për listat, por megjithatë hajdeni të ulemi dhe të punojmë për të gjetur kompromis”, tha Gjiknuri.

Ai theksoi se “tentativa që konsensusi të quhet imponim vetëm i njërës palë është i papranueshëm për mazhorancën”./m.m/ /a.g//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.